Murtaja prek bagëtitë në Skrapar, autoritetet vendosin karantinë për dy ferma në Polenë

263 bagëti të infektuara me murtajë në fshatin Polenë, zona e kuqe shtrihet në një rreze 3 kilometrash dhe kufizohen lëvizjet

Murtaja e ruminantëve të vegjël ka goditur dy ferma në fshatin Polenë të Skraparit, duke infektuar gjithsej 263 bagëti. Shefi i Sektorit të Veterinarisë në Drejtorinë e Bujqësisë së qarkut Berat, Ilirjan Ramaj, bëri të ditur se janë ndërmarrë masa të menjëhershme për të kufizuar përhapjen e sëmundjes dhe për të karantinuar fermat e prekura.

Sipas Ramajt, analizat e kryera nga veterinerët kanë konfirmuar praninë e sëmundjes. Në njërën fermë janë regjistruar 191 krerë të infektuar, ndërsa në fermën tjetër 72 krerë. Të gjitha kafshët e prekura janë futur në karantinë dhe është vendosur një “zonë e kuqe” me rreze tre kilometra përreth vatrës së infektuar.

Procesi i eliminimit të kafshëve të sëmura do të realizohet brenda ditëve në vijim, ndërsa po kryhet edhe inventarizimi i të gjitha fermave në zonë. Për të parandaluar përhapjen e murtajës, janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me policinë dhe ndalohet lëvizja e bagëtive të imta nga një fermë në tjetrën apo nga ferma në kullotë.

Fermat e tjera të qarkut po monitorohen në distancë deri në 10 kilometra largësi nga vatra e infeksionit, duke i mbajtur nën vëzhgim të rreptë nga ekipet veterinare. Aktualisht, kjo është e vetmja vatër e konstatuar në qarkun e Beratit, duke rritur vigjilencën tek të gjithë blegtorët e zonës.

Murtaja përhapet vetëm përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve të infektuara, ndërsa shenjat kryesore përfshijnë lotim të syve, diarre, temperaturë të lartë dhe plagë në gojë. Brenda tre ditësh nga shfaqja e simptomave, shumica e bagëtive ngordhin.

Shefi i Veterinarisë, Ilirjan Ramaj, i bën thirrje të gjithë fermerëve të qarkut Berat të njoftojnë menjëherë autoritetet ose të telefonojnë numrin e gjelbër nëse dyshojnë për simptoma të murtajës tek bagëtitë. Po ashtu, ai kërkon që kafshët të mos shtegtojnë jashtë zonës për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Ministria e Bujqësisë pritet të publikojë së shpejti udhëzimet për eliminimin dhe menaxhimin e vatrave të reja, ndërsa monitorimi dhe kufizimi i lëvizjes mbeten prioritet për të frenuar këtë emergjencë në Skrapar.

Ndaj Postimin: