Ankaraja reagon pas goditjeve izraelite, duke i quajtur veprimet agresion barbar dhe të pajustifikueshme, ndërsa bota ftohet të ndërhyjë
Nënkryetari dhe zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet në Turqi, Omer Celik, reagoi me tone të ashpra kundër sulmeve të fundit të Izraelit ndaj Iranit. Në një deklaratë publike, Celik e cilësoi aksionin si një agresion të paligjshëm, pa legjitimitet dhe pa asnjë justifikim, duke theksuar se veprimet e tilla përbëjnë rrezik për gjithë rajonin.
Sipas Celik, ky sulm izraelit shton edhe më tej vargun e veprimeve të ashpra dhe të dhunshme që, sipas tij, “i vënë flakën të gjithë Lindjes së Mesme”. Ai theksoi se ky është një agresion barbar që nuk mund të mbrohet me asnjë argument, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos heshtë përballë zhvillimeve të fundit.
Zyrtari turk u ndal edhe tek paralajmërimet e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, duke theksuar se bota duhet të reflektojë mbi rrezikun që vjen nga veprimet e qeverisë së Netanyahut. “E gjithë bota duhet t’i kushtojë vëmendje paralajmërimeve të Presidentit tonë në lidhje me pasojat e veprimeve gjenocidale të qeverisë Netanyahu”, theksoi Celik.
Sipas tij, agresioni izraelit nuk kërcënon vetëm Iranin, por të gjithë botën. Për këtë arsye, ai bëri thirrje për një përgjigje të bashkuar dhe të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar. “E gjithë bota duhet të marrë masa konkrete të përbashkëta kundër këtij agresioni”, u shpreh ai.
Raportimet nga Irani flasin për pasoja të rënda të sulmeve. Mes viktimave janë përmendur Gjenerali Gholam-Ali Rashid dhe dy shkencëtarë bërthamorë, Mohammad Tehranchi dhe Fereydoon Abbasi. Televizioni shtetëror iranian njoftoi gjithashtu se të paktën 50 persona, përfshirë 35 gra dhe fëmijë, janë plagosur dhe janë dërguar në Spitalin Chamran në Teheran.
Kjo valë e re dhune ka rritur ndjeshëm shqetësimet për përshkallëzim të mëtejshëm të krizës në rajon, ndërsa thirrjet për një ndërhyrje globale dhe për dialog të menjëhershëm bëhen çdo ditë e më të forta.