Rinumërimi i kutive të votimit në Tiranë dhe Fier pritet të mos ndikojë në numrin e mandateve parlamentare të subjekteve zgjedhore, duke sjellë ndryshime të mundshme vetëm te mandatet personale të kandidatëve.
KQZ-ja ka njoftuar se do të rinumërojë qindra mijëra vota në Qarkun Tiranë, si dhe në ndonjë qark tjetër ku është parë e nevojshme. Megjithatë, ekspertët zgjedhorë theksojnë se ky proces nuk do të sjellë ndryshim në balancat mes partive kryesore, përveç rasteve të veçanta ku mund të ndodhin lëvizje në renditjen e kandidatëve brenda të njëjtit subjekt.
Pritet që OSBE-ODHIR të përfshijë vërejtje të rëndësishme në raportin përfundimtar mbi procesin zgjedhor. Megjithatë, rekomandimet që do të dalin nga ky raport do të shërbejnë më shumë për përmirësimin e zgjedhjeve të ardhshme, pa ndikuar në përbërjen aktuale të Kuvendit.
Në fillim të shtatorit, Partia Socialiste do të nisë sesionin e ri parlamentar me 83 deputetë. Kjo shumicë pritet të jetë e mjaftueshme për kalimin e ligjeve të zakonshme, ndërsa për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar (84 vota), do të nevojitet bashkëpunimi me të paktën një deputet nga opozita.
Çështja e ndryshimit të Kushtetutës është më e ndërlikuar. Për ndryshime kushtetuese, Kuvendi kërkon 93 vota, çka e vështirëson shumë këtë proces për Partinë Socialiste. Partitë e vogla përfaqësohen nga vetëm 7 deputetë, ndërsa për të arritur shumicën e nevojshme duhet mbështetja edhe nga të paktën 3 deputetë të Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
Në këtë sesion të ri parlamentar, beteja më interesante do të zhvillohet pikërisht rreth numrave për të arritur shumicën e cilësuar për ndryshime të rëndësishme, siç janë kompetencat e Presidentit të Republikës.
Gjithashtu, në arenën politike pritet të vazhdojnë debatet mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës, kryesisht rreth procesit zgjedhor dhe përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme. Këto përplasje do të jenë pjesë e pandashme e jetës parlamentare gjatë muajve në vijim.