Ese për fëmijët në Gaza, nga Altin Goxhaj


Ese për fëmijët e Gazës nga Altin Goxhaj, Avokat i Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve
PARANOJA E PURIMIT: NGA VIKTIMË NË XHELAT — NJË ANALIZË E GJENOCIDIT NDAJ FËMIJËVE NË GAZË NË LABIRINTIN E PARANOJËS SË LIBRIT TË ESTERIT (NË BIBLËN E VJETËR DHE TORAH)!

Ndjesë që kam heshtur kaq gjatë, por më në fund sot jam i lirë nga detyrimi për të qenë politikan. Këtë ese po e shkruaj thjesht si avokat dhe si qenie njerëzore, i çliruar nga kompleksi i politikanit që prioritet ka interesin kombëtar (dhe për këtë i duhet të jetë “politikisht korrekt” në gjeopolitikë).

HYRJE:
Eseja ime u kurajua nga një ese e gazetarit hebre Peter Beinart, botuar në The Guardian më 11 mars 2025, me titullin: “Ndërsa hebrenjtë festojnë Purimin, le t’i japim fund masakrës në Gaza të kryer në emrin tonë. / Refuzimi ynë për t’u përballur me anën e errët të Purimit pasqyron një refuzim për t’u përballur me anën e errët të vetes sonë.”, i cili është pjesë e librit të tij më të fundit “To Be a Jew After the Destruction of Gaza” (Penguin Random House/Atlantic Books).

Ndërgjegjja e shqetësuar e hebreut humanist Beinart:
Beinart ngre një shqetësim thelbësor si hebre për mënyrën se si përdoren tekstet fetare hebraike për të legjitimuar akte të pamëshirshme kundër një popullsie tjetër, duke rikthyer çështjen se si një komunitet që ka qenë viktimë historike, përmes një paranoje të ushqyer brez pas brezi, shndërrohet në një xhelat kolektiv.

Për këtë shkak unë do ta nis esen time me një shpjegim të marrë me “copy-paste” nga ky artikull i gazetarit dhe autorit Peter Beinart për t’ju ndihmuar të futeni në brendësi të argumentit fetar hebraik (por edhe i krishterë) nga buron paranoja që zhyti në skizofreni gjenocidale një shtet të tërë nën miratimin e shumicës së popullsisë dhe zellin e një ushtrie që po kryen krime të paimagjinueshme ndaj fëmijëve të zënë në kurth nga uria, sëmundjet, flakët e ferrit të bombave…

Shpjegim i shkurtër mbi Librin e Esterit (për të cilin kam 2 vjet që ju them se në këtë libër fshihet kuptimi i gjeopolitikës botërore):

“Pas këtij muaji, në festën e Purimit, hebrenjtë vishen me kostume qesharake, hanë ëmbëlsira trekëndëshe dhe dëgjojnë një histori të lashtë rreth një përpjekjeje për gjenocid. Ajo që vërejmë dhe nuk vërejmë në atë histori thotë shumë për atë që vërejmë dhe nuk vërejmë në Izrael dhe Palestinë.
Rrëfimi vjen nga Libri i Esterit. Fillon me një mbret persian të shthurur. Ai shtron një banket, dehet, i urdhëron mbretëreshës së tij t’u “shfaqë bukurinë e saj” festuesve dhe, kur ajo refuzon, e dëbon nga froni. Si zëvendësuese të saj, ai zgjedh Esterin, një vajzë të bukur e të re, e cila, pa dijeninë e tij, është hebreje. Pastaj ai merr një vendim katastrofik për personelin: ai zgjedh Hamanin, një urrejtës patologjik të hebrenjve, për të qenë krahu i tij i djathtë. Skena tani është gati për një përplasje epike.
Hamani e bind mbretin të nënshkruajë një dekret që shfaroste hebrenjtë. Xhaxhai i Esterit, Mordekai, e dëgjon lajmin dhe i dërgon fjalë se ajo duhet të shpëtojë popullin e saj. Edhe pse protesta vë në rrezik jetën e saj, Esteri i bën thirrje mbretit dhe, nëpërmjet një sërë manovrash të guximshme, e kthen atë kundër Hamanit. Hamani varet. Mordekai merr punën e tij. E mira triumfon mbi të keqen.
Kur hebrenjtë tregojnë historinë e Purimit sot, shumë prej nesh ndalen këtu. Por kjo nuk është tamam e saktë. Libri i Esterit nuk mbaron me vdekjen e Hamanit. Ai vazhdon sepse, megjithëse Hamani është zhdukur, dekreti i tij për të vrarë hebrenjtë mbetet. Mbreti nuk mund ta anulojë atë. Ajo që ai mund të bëjë është t’u japë fuqi Mordekait dhe të afërmve të tij që të marrin gjërat në duart e tyre. Gjë që ata e bëjnë. “Hebrenjtë i goditën armiqtë e tyre me shpatë”, shpall libri i Esterit, “duke vrarë dhe shkatërruar; ata ushtruan vullnetin e tyre mbi armiqtë e tyre”. Në ditën e 13-të të muajit Adar, hebrenjtë vrasin 75,000 njerëz. Ata e shpallin të 14-tën “një ditë feste dhe gëzimi”. Me gjakun e armiqve të tyre që mezi thahet, hebrenjtë festojnë dhe bëjnë festë. Kjo është origjina e Purimit.
Purimi nuk ka të bëjë vetëm me rrezikun që na paraqesin johebrenjtë. Ka të bëjë edhe me rrezikun që ne u paraqesim atyre.
Shumica prej nesh e injorojnë dhunën që përfundon rrotullën e Esterit. Disa hebrenj bashkëkohorë e justifikojnë atë si vetëmbrojtje.”

KONCEPTI I AMALEKUT SI LEGJITIMIM I GJENOCIDIT
Në traditën biblike, populli i Amalekut është mallkuar për zhdukje të përjetshme. Teksti i Parashat Zakhor (Ligji i Përtërirë 25:17–19) porosit: “Shfarose kujtimin e Amalekut nën qiell – mos harro kurrë.” Në këtë dritë, shumë interpretues fetarë dhe sionistë hebrenj e kanë shndërruar në mentalitetin e tyre popullsinë palestineze – veçanërisht në Gaza – në pasardhës të Amalekut. Kjo demonizim religjioz prodhon një justifikim të plotë për çdo veprim ushtarak që çon në zhdukje masive, dmth edhe të fëmijëve.

FESTA E PURIMIT DHE MENTALITETI “VRIT PARA SE TË TË VRASIN”
Libri i Esterit, që përshkruan shpëtimin e hebrenjve përmes një masakre të paraprirë ndaj “armiqve të tyre”, mban një mesazh të dyfishtë. Në emër të vetëmbrojtjes, në rrëfim biblik janë vrarë 75,000 vetë, përfshirë gra dhe fëmijë. Në shumë interpretime moderne, është internalizuar si një paradigmë sigurie: vrit kundërshtarin potencial përpara se të të vrasë. Ky episod festohet çdo vit me festën e Purimit, ku fëmijët hebrenj të Izraelit janë ata që duhet të festojnë dhe gëzohen më shumë nga të gjithë, pasi kjo festë ka marrë pamjen e një “Feste 1 Qershori” Hebre.

PARANOJA SI FORMË EDUKIMI KOMBËTAR NË IZRAEL
Shteti i Izraelit, në emër të sigurisë kombëtare, ka ndërtuar një sistem arsimor, ushtarak dhe mediatik që përforcon frikën ekzistenciale nga “Amaleku modern” – i identifikuar shpesh me popullsinë arabe dhe palestineze. Në këtë aspekt, çdo fëmijë izraelit, prej dekadash, rritet nën ndikimin e përvitshëm të festës së Purimit, me murin e Gazës dhe getot e Bregut Perëndimor si realitet të përditshëm. Të gjithë këta ushtarë dhe komandantë që vrasin pa brerje ndërgjegje kaq shumë fëmijë, janë fëmijët që u rritën me Festën e Purimit sepse u ushqyen me paranojën e saj! Paranoja ushqehet sistematikisht dhe prodhon një vetëdije kolektive ku armiku është gjithmonë pranë – dhe zhdukja e tij është zgjidhja e vetme. Përfshi edhe fëmijët!

NGA VIKTIMË NË XHELAT: PARANOJA SI MOTOR I GJENOCIDIT
Ashtu si nazistët ndërtuan getot për hebrenjtë në Poloni, shteti i Izraelit ka ndërtuar një sistem të ngjashëm getosh në Gaza. Ky kthim i rolit nuk është rezultat i transformimit moral, por i një paranoje të paepur që i ka zhytur hebrenjtë nga viktimë historike në xhelat modern. Edukimi dhe propaganda, bazuar në narrativat biblike si Ester dhe Amalek, e kanë kthyer paranojën në një skizofreni kolektive ku dhuna është e justifikuar dhe fëmijët palestinezë nuk përbëjnë më një kufi moral. E njëjtë si ajo që nazi-ukrainasit dhe një pjesë e popullsisë ukrainase të eksituar nga gjaku dhe paranoja, masakronin hebrenjtë ukrainas bashkë me fëmijët e tyre në një ekstazë hakmarrjeje ndaj bolshevikëve “hebrenj”, e gjitha nën mbikëqyrjen e nazistëve gjermanë kur msynë në Ukrainë në 1942!

GJENOCIDI I PAMËSHIRSHËM NË GAZA SI PËRMBUSHJE PROFETIKE
Nëse numri 75,000 i “kurbanëve të masakruar në çdo satrapi me urdhër të Mordekait” në Librin e Esterit është kthyer në një model, atëherë operacionet ushtarake izraelite në Gaza, që kanë lënë dhjetëra mijëra civilë dhe fëmijë të vdekur (sipas burimeve 61.700 të vrarë, përfshirë 17.492 fëmijë, 14.222 të zhdukur, 111.588 të plagosur), mund të shihen si përpjekje për të arritur “balancën profetike”. Ky nuk është thjesht gjenocid, por një gjenocid i justifikuar nga një paranojë teologjike që nuk njeh kufij empatie sepse i tillë ishte në Izrael programimi shkollor dhe propagandistik në dekada në çdo ritual të “gëzimit të Festës së Purimit”. Ndaj shumica e hebrenjve të Diasporës që jetojnë jashtë Izraelit nuk e kuptojnë se si munden bashkëatdhetarët e tyre të jenë kaq të ftohtë në bilancin e fëmijëve që i shtohen statistikave të vdekjes.

KONKLUZIONI: PAQJA NUK MUND TË VIJË NGA NJË SHTET QË EDUKON PËR FRIKË DHE SHFAROSJE FËMIJËT E TIJ!
Një shtet që ushqen fëmijët e vet me mitin e Amalekut dhe që përforcon narrativat e Purimit si model sigurie, është i paaftë të ndërtojë paqe. Paranoja institucionale, e shpërndarë nëpër tekste, mure dhe predha, prodhon vetëm cikël gjakderdhjeje. Deri në ditën kur Izraeli nuk do të reflektojë mbi këtë transformim tragjik nga viktimë në xhelat, historia do të përsëritet – jo si shëlbim, por si dënim moral kolektiv.

SHPRESA E VETME PËR FËMIJËT E GAZËS JANË FËMIJËT E IZRAELIT…
Shpresa e vetme për fëmijët e Gazës është që fëmijët e Izraelit të shpëtojnë nga instrumentalizimi i Festës së Purimit si programim vrasës i fëmijëve të Amalekut!
Dhe kjo mund të ndodhë veç kur numri dhe pesha e hebrenjve të turpëruar nga vrasja e fëmijëve të Gazës të jetë më e madhe dhe më e rëndë se indiferenca e tyre!
Sepse asnjë fuqi tjetër nuk e ndal dot këtë gjenocid! Sepse Izraeli është më i fortë se SHBA, NATO, Rusia, Kina, dhe le më Irani! Jo për nga ushtria por për nga fuqia e frikës së kapitullit të Librit të Ester 9:3 “Të gjithë princat e krahinave, satrapët, guvernatorët dhe zyrtarët e mbretit i ndihmonin hebrenjtë, sepse frika nga Mordekai kishte rënë mbi ta.”

P.s.
Pa lexuar dhe analizuar Librat e Shenjtë, kurrë s’do kuptojmë asgjë nga historia, as nga sociologjia, as nga psikologjia, as nga shkencat politike, e le më gjeopolitika jo e jo! Sidomos për dekadencën e kohës sonë… dhe Shpëtimin! Besimin se dashurinë e Zotit për Njeriun e meritojmë ose jo nga mënyra se si sillemi me Njeriun!

Ndaj Postimin: