Autoritetet gjermane evakuojnë mbi 20 mijë banorë në Këln, pasi në qendër të qytetit u gjetën tre bomba të pashpërthyera nga Lufta e Dytë Botërore, duke ndërmarrë një nga operacionet më të mëdha të këtij lloji në dekada.
Një situatë alarmi u krijua në Këln të Gjermanisë, ku mbi 20,000 banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre pasi autoritetet zbuluan tre bomba të pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore në zemër të qytetit. Zbulimi i këtyre mjeteve shpërthyese nxiti një evakuim masiv, duke përfshirë banorë, pacientë të spitaleve, të moshuar në azile, si dhe nxënës të shkollave e kopshteve.
Bombat, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, kishin mbetur të padëmtuara për dekada nëntokë. Dy prej tyre peshojnë 1,000 kilogramë secila, ndërsa e treta peshon 500 kilogramë. Secila bombë ishte e pajisur me një detonator të ndjeshëm ndaj impaktit, duke rritur rrezikun për qytetin.

Për çaktivizimin e bombave, autoritetet angazhuan ekipin e specializuar nga Dyseldorfi, të cilët morën masa të larta sigurie për të shmangur çdo incident të mundshëm. Evakuimi përfshiu jo vetëm shtëpi private, por edhe një spital të madh, dy azile pleqsh, një stacion treni, biznese, restorante, hotele, nëntë shkolla dhe disa kopshte.
Bashkia e Këlnit deklaroi se ky ishte operacioni më i madh për çaktivizimin e bombave që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjes së shpejtë për sigurinë e komunitetit.
Edhe pse kanë kaluar mbi 80 vjet nga përfundimi i luftës, gjatë punimeve ndërtimore në qytete të ndryshme shpesh zbulohen bomba të pashpërthyera. Në vitin 2017, në Frankfurt u evakuuan 65,000 persona për shkak të një bombe të ngjashme, ndërsa në vitin 2021, një bombë shpërtheu pranë stacionit të Mynihut, duke plagosur katër vetë.
Këto raste tregojnë se rreziku i trashëgimisë së Luftës së Dytë Botërore vijon të mbetet i pranishëm, duke e bërë të nevojshme reagimin e menjëhershëm të autoriteteve sa herë që zbulohen mjete të rrezikshme të mbetura nga ajo periudhë.