Ministria e arsimit: publikimi i tezës pas nisjes së provimit nuk cënon integritetin e maturës shtetërore

Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron publikun dhe maturantët se provimi i gjuhës së huaj për Maturën Shtetërore 2025 po zhvillohet me transparencë, siguri të plotë dhe standarde të larta në të gjithë Shqipërinë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka dalë me një deklaratë të qartë për të garantuar maturantët, prindërit, mësuesit dhe opinionin publik se provimi i gjuhës së huaj në Maturën Shtetërore 2025 po zhvillohet në kushte të plota sigurie. Sipas njoftimit, ky proces po zbatohet me transparencë maksimale dhe në përputhje të plotë me rregulloren në fuqi, duke respektuar standardet më të larta për 27 mijë maturantët në të gjithë vendin.

Institucioni thekson se publikimi i tezës së provimit pas nisjes së testimit nuk ndikon në asnjë mënyrë në procesin e Maturës Shtetërore. Ky veprim, sipas ministrisë, nuk duhet të zbehë punën e palodhur të mësuesve, administratorëve dhe punonjësve të sistemit arsimor që kanë punuar me përkushtim gjatë gjithë muajve të përgatitjeve për këtë fazë të rëndësishme.

Ministria dënon me forcë çdo akt që synon të dëmtojë besueshmërinë dhe integritetin e Maturës Shtetërore. Çdo tentativë për të cenuar mbarëvajtjen e provimeve do të trajtohet me masa të rrepta dhe sipas rregullores në fuqi, për të mbrojtur barazinë dhe drejtësinë në këtë proces jetik për të rinjtë.

Zyrtarët sqarojnë se standardet e testimit janë të garantuara në çdo fazë të procesit, nga hartimi i tezave me profesionalizëm dhe siguri të plotë, deri te trajnimi dhe certifikimi i personelit administrativ që menaxhon provimet. Qendra e Shërbimeve Arsimore ka shpërndarë testet model që në muajin janar dhe nëpër shkolla janë zhvilluar konsultime dhe para-teste për përgatitjen e maturantëve.

Në vijim, janë forcuar edhe masat teknike të kontrollit, si instalimi i kamerave të sigurisë, vendosja e rregullave të qarta për hyrje-daljet dhe rritja e standardeve të administrimit të provimeve. Këto masa synojnë të krijojnë një ambient të qetë e të përshtatshëm për çdo nxënës që merr pjesë në provim.

Ministria ka ofruar edhe mbështetje psikologjike për nxënësit, me qëllim lehtësimin e stresit që shoqëron këtë fazë të rëndësishme të arsimimit të tyre. Këto hapa janë ndërmarrë për të siguruar përgatitje sa më të mirë dhe barazi në mundësi për të gjithë maturantët.

Për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, prioritet mbetet suksesi i çdo maturanti, duke garantuar të drejtën e secilit për të zhvilluar provimin në kushte të barabarta. Angazhimi i institucionit do të vijojë pa ndërprerje për të ruajtur integritetin dhe ndershmërinë e Maturës Shtetërore, duke garantuar një proces të drejtë për të gjithë.

Ndaj Postimin: