PSG shkruan historinë me triumfin më të thellë në një finale Champions League, duke mundur Interin me rezultat të thellë 5-0 dhe duke rrëmbyer për herë të parë trofeun më të rëndësishëm europian të klubeve.
Në natën e shumëpritur të finales, Paris Saint-Germain u shfaq në fushë me ambicie të larta dhe vendosmëri të hekurt. Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique e nisi sfidën me sulme të vazhdueshme, duke shtypur Interin që në minutat e para. Vetëm pas 12 minutash, Doue i dhuroi një asist të artë Hakimit, i cili e dërgoi lehtësisht topin në rrjetë, duke ngritur peshë tifozët francezë.

Pak minuta më vonë, vetë Doue dyfishoi avantazhin me një goditje të bukur, duke thelluar hendekun mes dy skuadrave. Përballë këtij presioni të furishëm, Interi u mundua të rikthehej në lojë dhe në fund të pjesës së parë pati një mundësi të artë me Thuram, por tentativa e tij nuk ndryshoi rezultatin.
Në pjesën e dytë, ekipi italian i drejtuar nga Inzaghi u përpoq të rritej në lojë dhe të shtonte presionin, por çdo tentativë mbeti pa rezultat konkret. PSG nuk ndaloi me kaq: Doue realizoi edhe golin e tretë, duke siguruar qetësi absolute për francezët. Spektakli vazhdoi me golat e Kvara dhe Mayulu, që vulosën një sukses të pabesueshëm.
Kjo fitore bindëse i dha PSG-së trofeun e parë të Champions League në historinë e klubit, duke hapur një kapitull të ri për futbollin francez. Festa në Mynih u kthye në një ngjarje madhështore për të gjithë tifozët parisienë.
Ndërkohë, Interi përjetoi një mbrëmje zhgënjyese, duke mos gjetur asnjë zgjidhje për të ndalur furinë e PSG-së. Skuadra zikaltër tashmë duhet të rikthehet me energji të reja dhe të fokusohet tek sezoni i ardhshëm, ndërsa fitorja e francezëve mbetet një nga momentet më të paharrueshme të finales së këtij kompeticioni.