Çelet faza e tretë e Partneritetit Strategjik mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale Gjermane

Forcimi i bashkëpunimit strategjik dhe modernizimi i kapaciteteve policore në Shqipëri dhe Ballkan

Në një hap të ri drejt avancimit të sigurisë dhe profesionalizimit të policisë shqiptare, u nis zyrtarisht projekti SCOPE III, një nismë strategjike që forcon bashkëpunimin afatgjatë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale Gjermane. Ky projekt synon modernizimin e kapaciteteve dhe ngritjen e standardeve të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtuesit Madhor Ilir Proda, dhe Shefit të Departamentit të Luftës kundër Kriminalitetit në Policinë Federale Gjermane, z. Mathias Schaef, u riafirmua roli kyç i partneritetit mes dy institucioneve si një shtyllë e qëndrueshme e reformimit të sigurisë në vend.

Drejtori Proda theksoi sukseset e dy fazave të para të projektit SCOPE, duke nënvizuar ndikimin pozitiv në profesionalizimin dhe transformimin e strukturave policore shqiptare. Ai deklaroi se nisja e fazës së tretë tregon besimin e ndërsjellë dhe një partneritet strategjik që shkon përtej aspekteve teknike.

Në kuadër të projektit SCOPE III janë parashikuar disa nisma të rëndësishme, përfshirë dixhitalizimin e trajnimeve, përdorimin e inteligjencës artificiale, ngritjen e strukturave rajonale shkencore, shkëmbimin e hetuesve, përforcimin e sigurisë kibernetike, si dhe përfshirjen në pozicione udhëheqëse brenda platformës EMPACT.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe menaxhimin e Policisë Federale Gjermane, ky projekt konfirmon rolin aktiv dhe të fuqizuar të Policisë së Shtetit në sigurimin e rendit dhe ligjit në nivel rajonal, duke avancuar në përmbushjen e standardeve evropiane të zbatimit të ligjit.

Ndaj Postimin: