Mungesa e mbështetjes nga institucionet dhe çmimet e ulëta në tregjet e shumicës i kanë vështirësuar ndjeshëm kushtet për fermerin Armend Cjapi, i cili prej dy dekadash është përkushtuar në kultivimin e perimeve në sera diellore, bashkë me familjen në fshatin Delesufaj të bashkisë Lushnje.
Armend Cjapi, një nga fermerët më të njohur të zonës së Allkajt, prej më shumë se 20 vitesh ka ndërtuar jetën e tij mbi kultivimin e perimeve në sera diellore, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi. Pas kthimit nga emigracioni, ai investoi energjinë dhe kursimet në bujqësi, duke krijuar një aktivitet familjar të qëndrueshëm.
Në dy vitet e fundit, fermeri ka marrë me qira edhe 16 dynym sera shtesë, ku ka kultivuar domaten e njohur si rozalinë dhe dy varietete të specit, CA 7000 dhe Babur. Megjithëse prodhimi është rritur, vështirësitë kanë ardhur kryesisht nga çmimet e ulëta në pikat e grumbullimit.
Aktualisht, një kilogram spec shitet me vetëm 40 lekë, ndërsa domatja rozalinë shitet me 70 lekë për kilogram. Sipas Cjapit, këto çmime nuk i mbulojnë as shpenzimet minimale të përditshme, aq më pak investimet vjetore që kërkon një aktivitet i tillë.
Përveç tregut të dobët, Armendi përballet edhe me mungesën e fuqisë punëtore, pasi pagesa e një punëtori ka arritur në 3,000 lekë dita, duke rënduar edhe më tej kostot e prodhimit.
Një tjetër sfidë për fermerin mbetet mungesa e mbështetjes nga institucionet përgjegjëse. Cjapi thekson se prej kohësh nuk ka pasur komunikim nga specialistët e AREB-së në Lushnje, të cilët duhet të asistojnë fermerët në parcelat ku zhvillohet prodhimi.
Në mungesë të kësaj mbështetjeje, vetë fermerët janë bërë specialistë të prodhimeve bujqësore, të detyruar të përballen me sfida të tregut vendas dhe atij të eksportit. Produktet e tyre, përveçse shiten në Shqipëri, eksportohen drejt Kosovës, Kroacisë, Gjermanisë, Italisë dhe vendeve të tjera.
Sipas Armend Cjapit, pikat grumbulluese kanë treguar korrektësi në procesin e blerjes, por ai kërkon një ndërhyrje të fortë nga shteti për rregullimin e tregut dhe sigurimin e çmimeve të dinjitetshme për prodhimin vendas.
Ai thekson se, në shumë raste, cilësia e produkteve është vlerësuar edhe nga tregjet ndërkombëtare, falë përdorimit të pesticideve të kontrolluara të importuara nga Greqia. Por pa përkrahjen e duhur institucionale dhe pa ndërhyrjen për rregullimin e tregut, investimet e tij dhe të shumë fermerëve të tjerë mbeten të rrezikuara.
Fermeri apelon që institucionet të marrin masa të shpejta për të siguruar një treg të qëndrueshëm dhe për të mbështetur financiarisht ata që çdo ditë punojnë tokën, duke mbajtur gjallë traditën dhe ekonominë bujqësore të zonës së Lushnjes.


