Një tërmet me magnitudë 6.1 godet pranë Kretës, duke alarmuar banorët në rajonin mesdhetar dhe shkaktuar shqetësim në Greqi, Izrael, Egjipt dhe Qipro.
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 u regjistrua të enjten në mëngjes pranë ishullit grek të Kretës, duke alarmuar banorët dhe autoritetet në rajonin mesdhetar. Lëkundjet e tokës u ndjenë qartë në Greqi, Izrael, Egjipt dhe Qipro, sipas raportimeve të marra nga terreni.
Sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) dhe Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti ndodhi në orën 6:19 të mëngjesit, me epiqendër në veri të Kretës dhe një thellësi prej 69 kilometrash. Tërmeti u regjistrua rreth 59 kilometra larg Ágios Nikólaos dhe 74 kilometra nga Irákleion, dy qytete të rëndësishme në Kretë.
Banorët raportuan për dridhje të forta që zgjuan shumë prej tyre nga gjumi. “I shkurtër, por i fortë. E gjithë shtëpia po dridhej dhe më zgjoi”, u shpreh një qytetar nga Ágios Nikólaos në faqen zyrtare të EMSC. Raportime për lëkundje të forta erdhën edhe nga Athina dhe ishujt e tjerë të Egjeut.
Tërmeti u ndje edhe në vendet përreth si Izraeli, Egjipti dhe Qiproja, duke nxitur kujdes dhe vigjilencë tek autoritetet përkatëse. Për momentin, nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha materiale, por ekipet e emergjencës vazhdojnë të monitorojnë situatën.
Rajoni i Kretës dhe Egjeut është një nga zonat më aktive sizmike në Evropë, për shkak të bashkimit të pllakat tektonike afrikane dhe euroaziatike. Ky aktivitet i lartë sizmik bën që tërmetet të jenë të shpeshta, sidomos përgjatë Harkut Helenik, i cili njihet për ngjarje të mëdha të së kaluarës.
Ngjarja e fundit vjen pak ditë pas një tjetër tërmeti të fuqishëm me magnitudë 6.0, i cili goditi Detin Mesdhe javën e kaluar dhe u ndje po ashtu në Kretë, ishujt e Egjeut dhe deri në Egjipt e Izrael.
Sizmologët paralajmërojnë që rajoni të mbetet i kujdesshëm, pasi zona mbetet aktive dhe rreziku nga lëkundje të tjera të forta është i pranishëm. Ndërkohë, qytetarët këshillohen të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të jenë të gatshëm për çdo zhvillim të mundshëm.