Moskorrektesa e pagesës nga ana e pronarit ka qenë arsyeja që 33-vjeçari Dritan Lalaj nga Frakulla e Vogël në Fier i dha fund jetës në Hamburg të Gjermanisë.
Familja Lalaj ka hapur dyert e mortit, ndërsa lajmin e hidhur babai i tij, Fitim (Gori) Lalaj, e mori vetëm pak minuta më parë. I shokuar për humbjen e djalit të vetëm, i moshuari rrëfen mes lotësh se telefonatën e fundit me të birin e kishte bërë tre ditë më parë, kur Dritani i kishte treguar se pas tentativës për vetëvrasje dy javë më parë ishte qetësuar dhe i kishte premtuar se nuk do ta përsëriste më.
Babai i tij, që vuan nga sëmundje dhe përballet me kushte të vështira ekonomike, bën apel për ndihmë për të kthyer trupin e të birit në atdhe. Ai shprehet se gjendja e tij shëndetësore dhe varfëria e thellë e bëjnë të pamundur përballimin e shpenzimeve për kthimin e trupit të Dritanit.
Ndërkohë, i afërmi i familjes, Mezin Kacaku, bën me dije se për kthimin e trupit të Dritanit në Shqipëri duhen 25.000 euro. Shqiptarët në Hamburg kanë treguar solidaritet dhe kanë nisur mbledhjen e fondeve për të ndihmuar familjen në këtë proces.
Kacaku shpjegon se ka një përkushtim të madh nga komuniteti shqiptar në Hamburg për të mbledhur shumën e nevojshme sa më shpejt. Ai shton se edhe banorët e zonës së Frakullës janë të gatshëm të kontribuojnë për kthimin e trupit në Shqipëri.
Solidariteti i komunitetit shqiptar në Hamburg dhe ndihma nga të afërmit janë burimi i vetëm i mbështetjes për familjen Lalaj, e cila po përballet me dhimbjen dhe me sfidat e varfërisë. Në këtë situatë të vështirë, familja shpreson që mbështetja e shqiptarëve në Gjermani dhe në atdhe do të mundësojë kthimin e trupit të Dritanit në vendlindje.
Ngjarja ka prekur thellë komunitetin, dhe shumë janë sensibilizuar për të ndihmuar babain e Dritanit të realizojë këtë amanet të fundit për të birin e tij.
Mes një dhimbjeje të madhe dhe përkushtimit të shqiptarëve për ta ndihmuar, familja Lalaj vazhdon të shpresojë se ndihmat do të mblidhen dhe Dritani do të kthehet në tokën e tij.