Punonjësit e Policisë Rrugore do të trajnohen për t’u angazhuar në sigurimin e çiklistëve gjatë turit “Giro d’Italia 2025”.
Përgatitjet për turin prestigjioz ndërkombëtar “Giro d’Italia 2025” kanë nisur me trajnimin e punonjësve të Policisë Rrugore që do të angazhohen në eskortimin e çiklistëve. Ky trajnim po zhvillohet në Akademinë e Sigurisë, ku janë të pranishëm ekspertë të lartë nga Policia dhe Ministria e Brendshme të Italisë. Ata përfshijnë Drejtuesin e Lartë Eugenio Amorosa, Këshilltar në Ministrinë e Brendshme të Italisë, dhe Drejtoreshën e Seksionit të Policisë Rrugore të Veronës, Mirella Pontiggia, të shoqëruar nga ekspertë të Zyrës së Sigurisë Italiane në Tiranë.
Rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro, mirëpriti ekspertët italianë dhe i informoi ata për transformimin që ka pësuar Akademia, duke theksuar angazhimin maksimal të Policisë së Shtetit për të garantuar zhvillimin e sigurt të aktivitetit. Mandro siguroi ekspertët italianë se Policia e Shtetit do të bëjë gjithçka për të rritur imazhin e Shqipërisë në nivel global përmes këtij aktiviteti të rëndësishëm.
Nga ana tjetër, Drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore, Altin Qato, theksoi se, pavarësisht se Policia e Shtetit nuk ka përvojë të madhe në organizimin e aktiviteteve të tillë, veçanërisht kur ka një angazhim të shtuar gjatë periudhës zgjedhore, kjo nuk do të pengojë përballimin me sukses të angazhimit për sigurinë e çiklistëve. Qato garantoi koordinimin e plotë me institucionet përgjegjëse për sigurinë gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti.
Ky trajnim disaditor do të përfshijë një kombinim të trajnimit teorik dhe vizitave në terren në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë. Aktivitetet do të përfshijnë tre faza të turit “Giro d’Italia 2025” që do të zhvillohen më 9-11 maj 2025.