Arrestime për korrupsion pasiv në universitetin Aleksandër Xhuvani.

Të premten në mëngjes në Elbasan, policia zhvilloi një operacion në kuadër të hetimeve për krim ekonomik, pikërisht në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Operacioni, i udhëhequr nga prokurori Xheljan Seferi, ka përfshirë hetimin e shtatë pedagogëve të Shkencave të Edukimit dhe një personi tjetër që dyshohet të ketë qenë sekseri i tyre.

Sipas burimeve nga Prokuroria, pedagogët janë shoqëruar në polici, ku po kryhen veprime procedurale. Ndërkaq, pritet që për dy prej tyre të lëshohet urdhër arresti me burg, ndërsa për të tjerët do të kërkohet masa “detyrim paraqitje”. Akuzat që rëndojnë mbi ta lidhen me korrupsionin pasiv.

Pedagogët e hetuar janë pezulluar për momentin nga detyra. Në ambientet e universitetit u kryen kontrolle nga policia dhe prokuroria, të cilat kanë sekuestruar dokumente, pamje filmike dhe prova të tjera që mund të ndihmojnë hetimin. Gjithçka u krye në një klimë të qetë dhe deri tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga policia, pasi hetimet janë ende në zhvillim.

Pedagogët e përfshirë janë Ornela Bilali, Zyhra Gripshi, Adrian Shingjergji, Beatriçe Gani, Edlira Gugu, Florinda Tarusha dhe Monika Hodaj, të gjithë përfaqësues të lëndëve të ndryshme që lidhen me edukimin dhe punën me fëmijët, si dhe bashkëshorti i një prej tyre, i cili dyshohet të ketë ndihmuar si ndërmjetës.

Në këtë operacion, autoritetet kanë synuar mbledhjen e materialeve që mund të dëshmojnë praktikat e dyshuara të korrupsionit. Hetimet pritet të vazhdojnë për të kuptuar më shumë rreth rolit të secilit prej të përfshirëve.

Prokuroria dhe policia ende nuk kanë dhënë një deklaratë të plotë për publikun, ndërsa presin që të përfundojnë marrjen në pyetje dhe të përpilojnë një raport më të detajuar për çështjen.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera