Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një apel të fortë për qytetarët nga Elbasani, duke i ftuar ata të mos mbështesin kandidatë për deputetë të opozitës që nuk iu bashkuan koalicionit të opozitës. Në një intervistë, Berisha u pyet për deputetin Dashnor Sula, i cili dha dorëheqjen nga PD dhe iu bashkua koalicionit të “Nisma-Shqipëria bëhet” të Adriatik Lapaj. Berisha theksoi se Sula ka kohë ta mendojë vendimin e tij.
“Dashnor Sula bëri zgjedhjen e tij, midis betejës në sheshin e burrave zgjodhi Tikun dhe iku në punën e tij. Ka kohë ta mendojë,” – u shpreh Berisha, duke lënë të kuptohet se ai kishte vendosur të largohej nga beteja për të ndjekur një rrugë tjetër.
Berisha, gjithashtu, iu bëri thirrje qytetarëve të mos mbështesin ata që janë pjesë e “patericave të Edi Ramës”. Sipas tij, këta individë ishin ftuar të bashkoheshin me koalicionin opozitar, por ata kishin refuzuar këtë mundësi, duke dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë për mbështetje të qeverisë aktuale.
“Do t’u them qytetarëve: asnjë votë për patericat e Edi Ramës. Ata u ftuan botërisht, pavarësisht nga mendimet e ndryshme, që nëse e ndjeni veten opozitarë, duhet të bashkoheni me ne në aleancë,” tha Berisha. Ai theksoi se ata që nuk u bashkuan me koalicionin opozitar, përfundimisht kontribuojnë në forcimin e pushtetit të Ramës.
Kryetari i PD vazhdoi duke u shprehur se programi i koalicionit opozitar është “më i shkëlqyeri”, duke u përqendruar në një “Shqipëri Madhështore”, një program që, sipas tij, do të realizohet dhe që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë më parë.
Gjithashtu, Berisha bëri një paralelizëm të fitores së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur Chris LaCivita një “fuqi natyrore elektorale”, një bashkëkryestrateg të sukseseve të mëdha.
Në fund, Berisha përsëriti apelin e tij ndaj qytetarëve, duke i ftuar ata të mbështesin vetëm ata që janë të angazhuar në koalicionin opozitar dhe të shmangin votat për ata që vazhdojnë të jenë në krah të Edi Ramës.