Shqiptarët, më “dembelët” e Europës dhe Rajonit: OECD tregon pabarazinë ndërmjet arsimit dhe kërkesave të tregut të punës

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) ka publikuar një raport të ri që mat nivelin e konvergjencës së vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, duke evidentuar një situatë të vështirë për Shqipërinë. Sipas analizës, produktiviteti i punës në vendin tonë mbetet shumë më i ulët se në shumicën e shteteve të rajonit dhe të BE-së. Gjatë periudhës 2020–2023, produktiviteti në Shqipëri ishte rreth 25.7% i nivelit mesatar të BE-së, ndërkohë që Mali i Zi kishte produktivitetin më të lartë në rajon, me 48.6% të mesatares evropiane.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një produktivitet pune që mbetet ndjeshëm më i ulët se ai i Bashkimit Europian. Produktiviteti i punës në këtë rajon arrin vetëm rreth 40% të mesatares evropiane. Megjithatë, Shqipëria renditet më keq se shumë vende të tjera të Ballkanit, duke reflektuar dobësi strukturore dhe një mungesë të aftësive praktike tek punonjësit.

Një faktor kryesor që ndikon në këtë situatë është pabarazia midis cilësisë së arsimit dhe kërkesave të tregut të punës. Shqipëria ka një popullsi të arsimuar në nivele të larta, por ka një hendek të dukshëm mes njohurive teorike dhe aftësive praktike që kërkohen në tregun e punës. Shpeshherë, njohuritë teorike janë të larta, por mungon përvoja praktike që mund të shndërrohet në një rritje të efektshme të produktivitetit.

OECD rekomandon që Shqipëria të ndërmarrë reforma të thella në sistemin arsimor dhe në programet e trajnimit profesional, për të rritur aftësitë praktike të punonjësve dhe për të lidhur më ngushtë nevojat e tregut të punës me kurrikulat akademike. Kjo është thelbësore për të rritur produktivitetin dhe për të pasur një efekt pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit.

Përveç arsimit, Shqipëria ka edhe disa barriera ekonomike që e pengojnë zhvillimin e produktivitetit. Aksesimi i kufizuar në financime, taksat e larta dhe procedurat burokratike janë disa nga faktorët që ndikojnë negativisht në aftësinë e bizneseve për të investuar në teknologji dhe inovacion. Këta faktorë e bëjnë të vështirë që punonjësit të përdorin teknologji moderne që mund të përmirësojnë produktivitetin.

OECD sugjeron që, për të kapërcyer hendekun e produktivitetit midis Shqipërisë, rajonit dhe BE-së, është e nevojshme të ndërmerren masa konkrete për të modernizuar infrastrukturën fizike dhe dixhitale. Ky hap është i domosdoshëm për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e bizneseve dhe përdorimin e teknologjisë në mënyrë efikase.

Për të rritur produktivitetin, është e nevojshme që Shqipëria të inkurajojë investimet në kërkim dhe zhvillim, duke krijuar një mjedis më të favorshëm për bizneset, përmes përmirësimit të transparencës dhe lehtësimit të procedurave administrative. Këto reforma do të ndihmonin në përmirësimin e rendimentit të punës dhe në rritjen e efikasitetit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.

Ndaj Postimin: