Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të njohë automatikisht çdo ditë pune për ata që kanë banuar në fshat para vitit 1991 dhe nuk kanë qenë të dënuar.
Kreu i ISSH-së, Astrit Hado, në një intervistë televizive shpjegoi që, me ligjin e ri që pritet të hyjë në fuqi në janar 2025, do të njihet çdo periudhë pune nga mosha 18 vjeç deri në vitin 1991 për ata që punonin në kooperativa bujqësore dhe deri në fund të 1993 për ata në ndërmarrjet shtetërore. “Vitet e punës do të njihen pa asnjë dokument shtesë, mjafton një deklaratë ose certifikatë që vërteton banimin në fshat në atë periudhë,” sqaroi ai.
Kështu, nëse dikush sot del në pension në moshën 65 vjeç, që do të thotë se në vitin 1991 ka qenë 31 vjeç, të gjitha vitet e punës në fshat nga mosha 18 deri në 1991 do t’i njihen automatikisht. Projektligji është ende në konsultim publik, dhe pasi të marrin sugjerimet e qytetarëve, do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave. Ky ligj synon të zgjidhë problematikat e dokumentacionit, si emrat e shkurtuar, gabimet në regjistra dhe mungesat e tjera.
Deri tani, qytetarët që nuk i kanë patur dokumentet e plota duhej të ndiqnin rrugën gjyqësore për të zgjidhur çështjet e viteve të punës. Kjo risi pritet të kursejë kohë dhe kosto për 8 mijë përfitues që deri dje shqetësimet e tyre i adresonin në komisionet e ISSH-së ose në gjykata. “Kemi rreth 3 mijë gjyqe çdo vit dhe 5 mijë raste administrative. Tani, qytetarët do të marrin përfitimet e tyre pa vonesa dhe shqetësime,” tha Hado.
Hado shtoi se ligji nuk do të ketë efekt prapaveprues, pra do të përfitojnë vetëm ata që janë aktualisht në procese administrative ose gjyqësore për çështjen e viteve të punës. Pjesa e mbetur e viteve të komunizmit për të dalë në pension, mbetet për t’u rregulluar sipas rregullave aktuale dhe me një plan financiar të mirëllogaritur.
Skema e Pensioneve
Shëndetësimi i financave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka qenë një sfidë prej dekadash. Shumë të rinj janë larguar jashtë vendit ose marrin pjesërisht pagën në të zezë, duke krijuar një hendek që shteti mbulon për pensionet. Në tetor, qeveria nisi një aksion kundër informalitetit të pagave për të adresuar këtë çështje.
“Pesha e pensionistëve në Shqipëri është ndër më të lartat në Evropë, dhe duhet të zgjidhim urgjentisht këtë situatë financiare. Pensionet nuk janë përgjegjësi e qeverisë së momentit, por një detyrim ndaj atyre që kanë punuar. Skema e pensioneve mbështetet nga pagat aktuale, jo nga taksat e përgjithshme,” theksoi Hado.
Nëse ISSH mbledh 2 miliardë lekë dhe shpenzon 1.5 miliardë, qeveria nuk mund të prekin tepricën për investime në projekte të tjera. Për momentin, shteti mbulon rreth 450 milionë euro në vit për të përballuar deficitin e skemës së pensioneve, çka ka nxitur nevojën për një reformë të re pas asaj të vitit 2015. “Nëse nuk rriten të ardhurat nga kontributet, qeveria do të duhet të përdorë taksat e përgjithshme për të mbajtur pensionet,” shtoi ai. Në këtë mënyrë, vetëm indeksimi i pensioneve do të jetë i mundur, ndërsa rritja e tyre do të varet nga të ardhurat e kontribuuesve aktivë.
Sipas Hados, një rritje e pakontrolluar e pensioneve do të krijonte deficit të madh financiar në 10 vitet e ardhshme. “Nëse rriten pensionet me 10%, kostoja do të shkojë në 180 milionë euro sot dhe në 400 milionë euro në vitin 2030,” shpjegoi ai, duke theksuar se aksioni antiinformalitet ndihmon drejtësinë sociale dhe përmirëson skemën e sigurimeve.