Palestinezët në Shqipëri? Rama e hedh poshtë mundësinë: “Jo gjatë qeverisjes sime!”

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka shprehur qartë qëndrimin e tij në lidhje me mundësinë e strehimit të refugjatëve palestinezë në Shqipëri.

Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Rama theksoi se asnjë kërkesë nga administrata amerikane për këtë çështje nuk është marrë ende, dhe se përgjigjja do të jetë gjithsesi “Jo!”. Sipas tij, Shqipëria, edhe pse është një vend i vogël dhe mund të ketë mundësi logjistike, nuk do të pranojë refugjatët palestinezë gjatë periudhës së tij në qeverisje.

Në një debat që u zhvillua për Lindjen e Mesme, ku lufta në Gazë dhe konflikti Izrael-Palestinë ishin në qendër të vëmendjes, Rama përmendi ndihmën që Shqipëria ka dhënë në të kaluarën, siç është mikpritja e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe strehuar refugjatët afganë pas rikthimit të talebanëve. Megjithatë, ai theksoi se situata me palestinezët është ndryshe, duke deklaruar se Shqipëria nuk është pjesë e historisë së këtij konflikti dhe nuk do të jetë kurrë.

Deklaratat e Ramës janë bërë pas një komenti të Presidentit Donald Trump, i cili ka sugjeruar mundësinë e dërgimit të refugjatëve palestinezë në disa shtete, përfshirë Shqipërinë. Për këtë, Rama theksoi se ndonëse administrata Trump nuk ka kërkuar akoma një ndihmë të tillë, ky propozim është i papranueshëm për Shqipërinë, pasi shteti shqiptar është shumë i vogël dhe nuk mund të përballojë një fluks të tillë refugjatësh.

Në panelin e Mynihut, ku diskutuan figura të njohura politike dhe ekspertë të Lindjes së Mesme, Suzanne Maloney nga “Brookings Institution” e cilësoi si të gabuar idenë e largimit të palestinezëve nga toka e tyre dhe i bëri thirrje botës për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit pa detyruar këta njerëz të largohen. Ky qëndrim është mbështetur edhe nga ish-kryeministri libanez Najib Mikati, i cili e ka cilësuar mungesën e një angazhimi të duhur nga ana e Bashkimit Evropian në Lindjen e Mesme si një vakum të rrezikshëm.

Ndërkohë, Rama ka vazhduar të shfaqë kritika edhe ndaj funksionimit të Bashkimit Evropian, duke ironizuar për krijimin e rregulloreve të reja çdo javë dhe duke shfaqur një qëndrim skeptik ndaj rolit të BE-së në Lindjen e Mesme. Në këtë panel, ai nuk ka ngurruar të bëjë edhe komentet e tij personale mbi pamjen e ministrës së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve më shumë për këto deklarata sesa për çështjet e diskutimit.

Me këtë, Rama ka theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një vend i vogël, por me traditë mikpritëse, që nuk do të angazhohet në situata që i kalojnë mundësitë dhe përmasat e tij, duke refuzuar të bëhet pjesë e një krize që nuk është e tij.

Ndaj Postimin: