Obeziteti po shndërrohet në një problem të madh shëndetësor në qytetin e Elbasanit, veçanërisht për brezin e ri.
Sipas ekspertëve, ky fenomen është në rritje dhe ka ndikime serioze në shëndetin e të rinjve, duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve të ndryshme shëndetësore, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin.
Mjeku kardiolog Sajmir Shehu shpjegon se një nga shkaqet kryesore të rritjes së obezitetit në Elbasan është mungesa e aktivitetit fizik dhe përdorimi i ushqimeve të pashëndetshme. “Në këtë periudhë, shumë të rinj janë të angazhuar me aktivitete që nuk kërkojnë lëvizje fizike, ndërkohë që konsumojnë ushqime me yndyrna dhe sheqerna të tepërt. Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre,” thotë ai. Sipas tij, ky trend rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës dhe diabet të tipit 2.
Në anën tjetër, mjekja dietologe Alisa Xhyra thekson se akumulimi i yndyrnave dhe stresi janë faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht në shëndetin e të rinjve. “Një ushqim i pasur me yndyrna të ngopura dhe një jetë sedentare shkaktojnë shpesh mbipeshë dhe obezitet, që është një faktor kyç për zhvillimin e sëmundjeve kronike,” thotë Xhyra. Ajo rekomandon që të rinjtë të ushtrojnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik çdo javë dhe të ndjekin një dietë të balancuar për të parandaluar këtë problem shëndetësor.
Ekspertët nënvizojnë rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe ndryshimit të stilit të jetesës, duke theksuar se kjo është mënyra më e efektshme për të parandaluar pasojat afatgjata të obezitetit. Ata sugjerojnë që individët të angazhohen në aktivitete fizike, të konsumojnë ushqime të shëndetshme dhe të përpiqen të shmangin zakonet që kontribuojnë në rritjen e peshës trupore.
Sipas specialistëve, përmirësimi i stilit të jetesës do të ndihmojë jo vetëm në parandalimin e obezitetit, por edhe në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit, duke kontribuar në një shëndet më të mirë për të rinjtë e Elbasanit.