Xhekson Kenio, ish-kapiteni i Egnatias, ka qenë i pranishëm në tribunat e stadiumit “Arena Egnatia” gjatë sfidës të së dielës ndaj Partizanit.
Aktualisht një lojtar i lirë, Kenio mbylli aventurën e tij me Istanbulspor në Turqi pas një periudhe të suksesshme me klubin turk.
Egnatia e shiti kartonin e Kenios në verën e vitit 2023, një lëvizje që i dha mundësi lojtarit të provohej në një kampionat më të fortë si ai turk. Megjithatë, pas mbylljes së kontratës me Istanbulspor, Kenio është aktualisht pa ekip, duke lënë dyshime për mundësinë e një rikthimi të bujshëm te skuadra rrogozhinase.
Një rikthim i mundshëm i Kenios në Egnatia do të ishte padyshim një lajm i madh për kampionatin shqiptar. Lojtari 26-vjeçar, i cili ka mbajtur shiritin e kapitenit te Egnatia dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në sukseset e skuadrës, ka ende një vlerë të konsiderueshme në tregun e futbollit. Sipas “Transfermarkt”, vlera e tij aktuale është 700 mijë euro, duke e bërë atë një nga lojtarët më të vlerësuar në Superligën shqiptare.
Një rikthim i tillë do të ishte një mundësi e madhe për Egnatian, e cila do të përfitonte nga eksperienca dhe kualitetet e Kenios në mesfushë. Për shumë tifozë, kjo mund të shënonte një moment kthese për skuadrën dhe një përforcim të rëndësishëm për sfidat që do të vijnë.
Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Xhekson Kenios, por prania e tij në tribunë dhe vlerësimi i vazhdueshëm për aftësitë e tij, lë hapur mundësinë e një rikthimi që do të ngjallte shumë entuziazëm te tifozët e Egnatias.