Policia e Tiranës jep shpjegime për tubimin e 12 shkurtit në favor të Veliajt: “Ishte spontan dhe paqësor”

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar ndaj shkresës së dërguar nga Gjykata e Posaçme dhe SPAK, e cila kërkoi shpjegime për mosveprimin e autoriteteve policore gjatë tubimit të qytetarëve para godinave të institucioneve të drejtësisë më 12 shkurt 2025.

Policia theksoi se grumbullimi i qytetarëve ishte spontan dhe paqësor dhe se nuk kishte pasur informacione paraprake që të kërkonin masa të menjëhershme.

Policia sqaroi se objektet ku ushtron aktivitetin Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme janë mbrojtur nga Garda e Republikës, sipas ligjit përkatës, dhe se nuk ishin marrë njoftime për grumbullime ose rrezik për rendin publik. Për këtë arsye, nuk ishte hartuar një plan masash për vendosjen e një kordi policor.

Në deklaratën e saj, Policia theksoi se tubimi nuk ishte i parashikuar dhe nuk kishte cenuar rendin publik, ndaj nuk ishte e nevojshme të përdorej procedura standarde për kufizimin e perimetrit, siç ndodh në tubimet e lajmëruara më parë. Gjatë seancës gjyqësore, 77 punonjës policie kishin siguruar rendin dhe nuk ishin raportuar pengesa për hyrje-daljet e zyrtarëve në SPAK.

Edhe pse nuk kishte pasur ndihmë të kërkuar nga asnjë entitet, Policia njoftoi se ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar masat e marra nga strukturat përkatëse dhe për të identifikuar çdo përgjegjësi të mundshme lidhur me menaxhimin e situatës. Policia tha se ky hetim është i domosdoshëm për të siguruar që masat e marra të jenë të përshtatshme dhe të efektshme.

Drejtoria Vendore e Policisë ka theksuar se komunikimi institucional ka qenë gjithmonë efikas dhe i mjaftueshëm, dhe se për situatën e 12 shkurtit nuk ishin marrë njoftime për ndonjë rrezik potencial. Po ashtu, Policia ka shtuar se shërbimet e saj janë angazhuar për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, e cila ka kaluar pa probleme.

Në lidhje me bashkëpunimin me Gardën e Republikës, Policia ka theksuar se ky bashkëpunim ka qenë maksimal dhe i koordinuar, duke siguruar mbrojtjen e objekteve dhe personaliteteve të rëndësishme. Policia ka siguruar se do të vazhdojë të angazhohet për të mbrojtur rendin dhe sigurinë publike, duke garantuar mbështetje për institucionet e drejtësisë dhe funksionarët e saj.

Pavarësisht këtyre masave, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim për të vlerësuar se si janë marrë masat gjatë ditës së tubimit dhe për të identifikuar ndonjë mundësi gabimi apo mangësi në menaxhimin e situatës. Policia theksoi se do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e procedurave dhe për garantimin e sigurisë publike.

Deklarata Zyrtare

Lidhur me shkresën e përcjellë dhe të bërë publike, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për situatën e datës 12.02.2025, rreth godinës së Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës bën me dije se:

Së pari, kjo është një praktikë që nuk ka ndodhur më parë, që organet ligjzbatuese komunikojnë përmes mediave ndërkohë që kanalet institucionale të komunikimit kanë qenë jo vetëm mëse të mjaftueshme, po edhe plotësisht efikase. Për natyrën dhe qëllimet e punës sonë të përbashkët, është domosdoshmëri komunikimi institucional.

Së dyti, objekti ku ushtron veprimtarinë Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ruhet dhe mbrohet nga Garda e Republikës së Shqipërisë, sipas parashikimeve të Ligjit nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, neni 12, pika 2, germa “d”, si dhe VKM nr. 507, datë 27.07.2022, “Për një shtesë në VKM nr. 597, datë 13.10.2021, “Për përcaktimin e personaliteteve dhe objekteve të tjera, që ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së Shqipërisë”, pika 1.

Konkretisht, sqarojmë se në datë 11.02.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me shkresë nr. 14 drejtuar DVP Tiranë, kërkoi shoqërimin në datë 12.02.2025, të shtetasve E. V dhe E. A., nga ambientet e Bllokut të Sigurisë Tiranë për në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pasi do të zhvillohej seanca gjyqësore për verifikimin e kushteve në zbatim të masës së sigurisë.

Bazuar në kërkesën e Gjykatës së Posaçme, strukturat përgjegjëse të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në mbështetje dhe zbatim të Procedurës Standarde të Punës “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre” miratuar me Urdhër nr. 1720, datë 20.11.2023, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Procedurës Standarde të Punës “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në “Bllokun e Dhomave të Sigurisë” të DVP Tiranë, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre” miratuar me Urdhër nr. 502 datë 09.05.2022, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, hartuan urdhrin e shërbimit datë 12.02.2025, për shoqërimin e të ndaluarve/arrestuarve, duke marrë masat dhe planëzuar shërbimet policore të nevojshme.

Shoqërimi dhe mbërritja në ambientet e Gjykatës së Posaçme është regjistruar në Sallën e Menaxhimit dhe Drejtimit pa asnjë problem.

Theksojmë se Policia e Shtetit nuk ka pasur asnjë njoftim nga individë apo subjekte, si dhe nuk ka grumbulluar informacione apo te dhëna për grumbullime të mundshme pranë godinës së SPAK-ut. Në këto kushte nuk është hartuar plan masash, por nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është vlerësuar situata dhe janë marrë masa duke reaguar në kohë, me angazhimin e një numri të konsiderueshëm punonjësish.

Në orën 08:25, pranë kryqëzimit të rrugëve drejt godinës së SPAK dhe gjithë perimetrit të saj, janë shtuar shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, Ndihmës Specialist të Policimit në Komunitet, Specialist për Hetimin e Krimeve, Ndihmës Specialist për Operacionet Speciale, shërbimet e Policisë Rrugore, Forcat e Posaçme “Shqiponja”. Në kuadër të angazhimit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore janë angazhuar në total 77 punonjës policie. Gjatë gjithë kohës këto forca kanë qenë nën drejtimin e Shefit të Komisariatit të Policisë nr. 3, si dhe drejtues të tjerë të strukturave përkatëse, ndërsa Shefi i Sektorit për Sigurimin dhe Shoqërimin ka qenë i dislokuar në ambientet e brendshme të Gjykatës.

Seanca gjyqësore ka filluar e qetë, ka vijuar normalisht dhe ka përfunduar pa asnjë problem. Në adresë të shërbimeve policore, as nga Garda e Republikës brenda ambienteve të Gjykatës së Posaçme, as nga prokurorë, gjyqtarë e avokatë nuk është prezantuar asnjë shqetësim, apo te jete kërkuar ndihmë për vendosje të rendit dhe sigurisë në ambientet e brendshme, apo të jashtme të Gjykatës.

DVP Tiranë thekson se nuk ka marrë asnjë njoftim në formë shkresore apo verbale, apo telefonatë të drejtuar në Sallën e Menaxhimit dhe Drejtimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ku punonjës të Gardës së Republikës apo ndonjë entitet tjetër, të kenë njoftuar për cenim të rendit dhe sigurisë publike, apo paligjshmëri të tjera pranë dhe përreth godinës së Gjykatës së Posaçme.

Referuar ligjit për “Tubime” Nr 8773 datë 23.04.2001, Neni 2, pika 5 përcakton se: ”Tubime” kuptohen grumbullimet, manifestimet, mbledhjet dhe parakalimet me karakter paqësor dhe pa armë, në të cilat një grup personash shprehin kërkesat dhe pikëpamjet e tyre për probleme, për të cilat janë të interesuar dhe përfshin edhe tubimet urgjente.
*Kur grupe njerëzish grumbullohen në mënyrë spontane dhe nuk cenojnë rendin publik, veprimtaria e tyre nuk përfshihet në përkufizimin e tubimit *

Siç dhe është konstatuar, qytetarët në datë 12 shkurt janë grumbulluar në mënyrë spontane dhe pa cenuar rendin publik, ndaj për këto arsye procedura standarde e tubimeve nuk ka gjetur zbatim për vendosjen e kordonit policor, i cili vendoset në vendin e kufizuar për tubim, çka në rastin konkret përveçse e panevojshme do të ishte edhe e pamundur, për shkak se grumbullimi i qytetarëve ka qenë spontan dhe i pa paralajmëruar.

Në rastet e tubimeve të tjera që referohen në shkresën e bërë edhe publike, bëjmë me dije se ato kanë qenë tubime të njoftuara më parë, e për të cilat ka patur informacione jo vetëm për vendin e grumbullimit po edhe për tendenca të ushtrimit të forcës nga ana e protestuesve, kështu që për pasojë është zbatuar procedura standarde e kufizimit të perimetrit dhe vendosja e kordonit policor sipas Planit të Masave, të hartuar për tubimet e njoftuara nga organizatorët apo për të cilat janë siguruar informacione të caktuara për zhvillimin e tyre.

Gjithashtu, theksojmë se tek shërbimet e Policisë të vendosura pranë perimetrit të Gjykatës së Posaçme dhe SPAK, nuk janë raportuar probleme për pengim të lëvizjes së gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të administratës.

Lidhur me bashkëpunimin me Gardën e Republikës, as mund të vihet kurrsesi në dyshim se Policia e Shtetit është dhe do të mbetet tërësisht bashkëpunuese, duke koordinuar veprimet dhe shkëmbyer informacion lidhur me sigurimin e personaliteteve apo objekteve që ka në ruajtje Garda, ashtu siç në fakt edhe ka ndodhur me hyrjen e një individi të gjinisë femërore me aftësi ndryshe brenda perimetrit, e cila është shoqëruar dhe proceduar në bazë të ligjit nga Policia.

Pavarësisht kësaj, referuar pretendimeve në shkresën e lartpërmendur, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar një hetim administrativ për të vlerësuar masat e marra nga autoritetet përgjegjëse dhe për të individualizuar përgjegjësinë e çdo strukture policore të angazhuar në këtë shërbim, në rast se konstatohet ndonjë e metë.

Së fundi, Policia e Shtetit thekson se është e angazhuar maksimalisht për bashkëpunim dhe bashkëveprim me çdo institucion ligjzbatues, për të garantuar rendin e sigurinë publike dhe mbrojtur jetën dhe shëndetin e funksionarëve të drejtësisë në përmbushjen e detyrave institucionale.

Ndaj Postimin: