Rama për investimet në Shqipëri: “Vendimi për të ardhur është një mundësi e vërtetë”

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për kthimin e emigrantëve shqiptarë në atdhe dhe investimin e tyre në Shqipëri.

Në podkastin “Flasim”, Rama theksoi se vendi ka kaluar një transformim të madh dhe është gati të mirëpresë ata që duan të kontribuojnë me përvojën dhe njohuritë e tyre. Ai u shpreh se shpesh Shqipëria perceptohet në mënyrë negative nga lajmet, por realiteti është krejt ndryshe.

“Shqipëria nuk është siç e shihni në TV. Është një vend tjetër tani, i gatshëm të presë emigrantët mbrapsht. Kush nuk provon, nuk mund të realizojë atë që dëshiron,” tha Rama. Ai theksoi se vendi ka ndryshuar dhe tani ka mundësi më të mira për ata që duan të investojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e tij.

Përgjatë fjalës së tij, Rama nënvizoi se një nga sfidat më të mëdha që ka hasur vendi është lufta ndaj korrupsionit, i cili shpesh ka ndikuar në perceptimin e Shqipërisë jashtë. “Kur korrupsioni luftohet realisht, perceptimi ndikohet, sepse problemet fillojnë të dalin në dritë,” tha ai. Sipas tij, ekspozimi i këtyre problemeve krijon një perceptim të shtrembëruar për Shqipërinë, por ky proces është i nevojshëm për të sjellë një ndryshim të qëndrueshëm.

Rama theksoi se ndonëse periudha e luftës ndaj korrupsionit mund të krijojë një ndjenjë të rënduar për disa kohë, ai beson se kjo është një fazë kaluese që do të ndihmojë në pastrimin e sistemit dhe përmirësimin e imazhit të vendit. Ai theksoi se Shqipëria e sotme është shumë më ndryshe nga ajo që e shohin shumica përmes lajmeve.

“Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara, dhe kush provon, mund të dështojë, por ai që nuk provon, sigurisht që nuk arrin atë që dëshiron,” shtoi ai. Kryeministri i bëri apel emigrantëve të kthehen dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Shqipëria në këtë moment të saj të ri zhvillimi.

Përfundimisht, Rama theksoi se pavarësisht kritikave dhe perceptimeve negative, Shqipëria është një vend me mundësi dhe e gatshme të mirëpresë ata që duan të kontribuojnë në forcimin e saj ekonomik dhe shoqëror. “Jemi një vend tjetër tani, dhe kjo është mundësia për të krijuar diçka më të mirë për të ardhmen,” përfundoi ai.

Ndaj Postimin: