Dyshime për motiv islamik pas sulmit në Mynih

Hetuesit gjermanë po shqyrtojnë mundësinë që sulmi i ndodhur në Mynih disa ditë më parë të ketë pasur motive fetare.

Prokurorja publike e Mynihut, Gabriele Tilmann, deklaroi për mediat se i dyshuari ka bërtitur “Allahu Akbar” në momentin e ndalimit, duke ngritur dyshime se sulmi mund të ketë qenë i frymëzuar nga ekstremizmi islamik.

Ngjarja ka ndodhur pranë një stacioni në qendër të qytetit, ku sulmuesi ka lënë të plagosur dhjetë persona. Mes viktimave më të rënda është një vajzë dyvjeçare, e cila ndodhet në gjendje kritike në kujdesin intensiv. Ndër të lënduarit rëndë janë edhe tetë persona të tjerë, ndërsa policia raportoi se mes viktimave ka 32 burra dhe katër gra.

Autoritetet gjermane po kryejnë hetime të thelluara për të përcaktuar nëse i dyshuari ka vepruar i vetëm apo ka lidhje me ndonjë grup terrorist. Prokurorët po shqyrtojnë të dhënat e tij personale, përfshirë vendin e origjinës dhe historikun e lëvizjeve të tij, për të kuptuar nëse ka ndonjë lidhje me organizata ekstremiste.

Ky sulm ka ndodhur vetëm 10 ditë para zgjedhjeve në Gjermani, në një kohë kur vendi është tronditur nga një seri aktesh të dhunshme të kryera nga emigrantë. Situata ka nxitur debate të ashpra për sigurinë dhe politikat e emigracionit, të cilat tashmë janë bërë një çështje kyçe në fushatën elektorale.

Dy nga autorët e sulmeve të fundit në Gjermani rezultojnë të jenë nga Afganistani, duke shtuar shqetësimet për rrezikun e radikalizimit mes emigrantëve. Analistët e sigurisë paralajmërojnë se ngjarje të tilla mund të ndikojnë në perceptimin publik dhe në qasjen e politikave qeveritare ndaj emigrantëve dhe azilkërkuesve.

Policia dhe shërbimet e inteligjencës janë vënë në alarm, ndërsa autoritetet gjermane kanë intensifikuar kontrollet në pikat e ndjeshme të qyteteve kryesore. Ndërkohë, opinioni publik mbetet i ndarë mes shqetësimeve për sigurinë dhe mbrojtjes së vlerave demokratike e të drejtave të njeriut në vend.

Ndaj Postimin: