Ndahet nga jeta diplomati i njohur Shaban Murati në moshën 79-vjeçare

Shaban Murati, një nga diplomatë të shquar të Shqipërisë, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare.

Lindi më 2 shtator 1945 dhe u bë një figurë e njohur në fushën e diplomacisë dhe publicistikës shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit. Vdekja e tij ka lënë një boshllëk të madh në diplomacinë shqiptare dhe ka trishtuar ata që e kanë njohur dhe vlerësuar punën e tij të vyer.

Pas ndarjes nga jeta të babait të tij, djali i Shaban Muratit, gazetari dhe analisti Erl Murati, shpalli se ceremonia mortore do të zhvillohet nesër në varrezat e Sharrës. Në një postim të tij, Erl Murati falënderoi mjekët dhe infermierët e QSUNT, veçanërisht Dr. Entela Bashën, për kujdesin ndaj shëndetit të babait të tij gjatë periudhës së fundit të jetës. Ai njoftoi gjithashtu oraret e ceremonisë mortore dhe pritjen e ngushëllimeve për të dielën në hotel Mondial.

Shaban Murati ka pasur një karrierë të gjatë diplomatike, duke shërbyer si ambasador i Shqipërisë në shumë shtete, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë. Ai gjithashtu ka qenë drejtues i Akademisë Diplomatikës, ku ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e brezave të rinj të diplomatëve shqiptarë.

Përveç angazhimeve diplomatike, Murati ka lënë një trashëgimi të pasur edhe në fushën e publicistikës. Ai ka botuar një sërë librash dhe analizash, përfshirë veprat e njohura si “Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë” (2004), “Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës” (2007) dhe “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës” (2021), ku trajton çështje të rëndësishme të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kontributet e tij në diplomaci dhe publicistikë janë vlerësuar gjerësisht, dhe ai do të mbahet mend si një zë unik kombëtar dhe një personalitet i shquar me një kulturë të gjerë dhe pasion për Shqipërinë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për diplomacinë dhe kulturën shqiptare, dhe për ata që e njohën dhe vlerësuan punën e tij të palodhur.

Ndaj Postimin: