Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjirokastrës, Arben Dosti.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Natasha Mulaj (kryesuese), Albana Shtylla (relatore) dhe anëtarët Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo.
Dosti ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më 3 dhjetor 2021, por vendimi u ankimua nga ish-Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili kërkoi rishikimin e procesit.
Pas shqyrtimit të çështjes, KPA vendosi në mënyrë unanime të ndryshojë vendimin e KPK-së dhe të shkarkojë gjyqtarin Dosti nga detyra.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi u bazua në nenin 66, pika 1, germa “b” të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
KPA theksoi se ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm, duke mbyllur çdo mundësi për apelim të mëtejshëm.
Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është pjesë e reformës në drejtësi në Shqipëri, e cila ka synuar pastrimin e sistemit nga elementët që nuk plotësojnë kriteret profesionale dhe etike.
Shkarkimi i Arben Dostit shënon një tjetër rast të gjyqtarëve të cilët nuk kanë kaluar procesin e vettingut, duke dëshmuar vijimin e reformës në drejtësi dhe filtrimin e sistemit gjyqësor në vend.