Robert F. Kennedy Jr., aktivisti i njohur i kthyer në politikan, është zyrtarisht Sekretari i ri i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore në Shtetet e Bashkuara.
Pas një votimi të ngushtë, Senati e konfirmoi atë në këtë detyrë me rezultatin 52-48.
Votimi në Senat u shënua nga ndasi të forta partiake, ku të gjithë demokratët, përfshirë edhe Senatin republikan Mitch McConnell, votuan kundër Kennedy-t. Pavarësisht kundërshtimeve, mbështetësit e tij argumentuan se ai sjell një vizion të ri për shëndetësinë në SHBA.
Mike Crapo, kryetari i Komitetit të Financave të Senatit, e mbështeti emërimin e Kennedy-t duke theksuar angazhimin e tij për të reformuar sistemin shëndetësor dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet publike. “Pasioni i tij për trajtimin e epidemisë së sëmundjeve kronike në Amerikë do të shpëtojë jetë, do të ulë kostot dhe do të krijojë një themel për një vend më të shëndetshëm dhe më të fortë,” deklaroi Crapo.
Në këtë rol, Kennedy do të drejtojë një nga departamentet më të rëndësishme të administratës federale, me 13 agjenci nën mbikëqyrjen e tij dhe dhjetëra mijëra punonjës. Sfida kryesore për të do të jetë përmirësimi i shëndetit publik dhe menaxhimi i politikave shëndetësore të vendit.
Një nga prioritetet e tij kryesore është trajtimi i sëmundjeve kronike, të cilat kanë pasur një ndikim të madh në popullatën amerikane. Ai ka premtuar një qasje të re ndaj kujdesit shëndetësor dhe ka bërë thirrje për reforma të thella në sistemin ekzistues.
Slogani i tij politik, “Make America Healthy Again” (Ta bëjmë Amerikën të Shëndetshme Sërish), pritet të udhëheqë strategjinë e tij në këtë post të rëndësishëm. Ekspertët presin që Kennedy të ndeshet me sfida të mëdha, por edhe të sjellë një qasje të ndryshme nga paraardhësit e tij në këtë rol.