Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
. Ai e cilësoi të papranueshme ndërhyrjen e gjyqësorit në mandatin e një zyrtari të zgjedhur, duke argumentuar se ky veprim minon standardet demokratike.
“Kjo nuk është trysni ndaj gjykatës, por një kërkesë legjitime për të ruajtur parimet demokratike. Siç thonë tironsit, ‘u njohëm një cikë si shumë’. A janë të zgjedhurit mish për top? A mund të ndërpritet kontrata e një kryebashkiaku me qytetarët pa asnjë provë të qartë për t’u gjykuar?” – u shpreh Rama.
Kryeministri ngriti pikëpyetje mbi balancën e pushteteve dhe theksoi se sistemi gjyqësor duhet të ruajë ekuilibrin midis akuzës dhe mbrojtjes. “Një prokuror ka të drejtë edhe të çmendet, por ekuilibrin mes palëve e mban gjyqtari. Pikërisht për këtë arsye, në reformën në drejtësi kemi futur figurën e gjykatësit paraprak,” tha ai.
Sipas Ramës, gjykatat nuk duhet të marrin rol ekzekutiv apo të veprojnë me një prirje të tejskajshme ndëshkimore. Ai e krahasoi situatën me periudha historike kur pushteti gjyqësor ishte i ndikuar nga autoritetet më të larta. “Na është bërë gjykata si stërspeciale që rrit peshën e dënimit. Edhe në kohën e sulltanëve, gjyqtari ishte mbi opinionin dhe mbi sulltanin,” tha ai.
Deklaratat e kryeministrit vijnë mes një debati të ashpër për ndërhyrjen e drejtësisë në çështjet politike dhe ekuilibrin mes institucioneve në Shqipëri. Çështja e Veliajt ka ndezur polemika të shumta, duke nxitur reagime nga kampet politike dhe qytetarët.
Në këtë kontekst, Rama duket i vendosur të mbrojë figurën e të zgjedhurve lokalë, duke e cilësuar procesin kundër Veliajt si të nxituar dhe të pabazuar në prova të forta. Megjithatë, mbetet për t’u parë sesi do të vijojë ky proces dhe çfarë qëndrimi do të mbajnë institucionet e drejtësisë në ditët në vijim.