Taulant Xhaka i jep fund karrierës si futbollist

Taulant Xhaka ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur në moshën 34-vjeçare. Mesfushori shqiptar, i cili ka ndërtuar një karrierë të gjatë në futbollin zviceran, do të varë këpucët në fund të sezonit.

Xhaka e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij te Basel, ku u bë një figurë kyçe për klubin. Ai ka luajtur edhe për Grasshoppers në Zvicër, duke dhënë kontributin e tij në elitën e futbollit zviceran për më shumë se një dekadë.

Në një deklaratë emocionuese, Xhaka shprehu mirënjohjen për momentet e paharrueshme që ka përjetuar me Basel, klubin e tij të zemrës. “Gjithçka që kam përjetuar me këtë klub është ende një ëndërr për mua, sidomos si vendas i Bazelit. Kam pasur mundësinë të luaj kundër lojtarëve më të mirë në botë dhe të ndaj dhomën e zhveshjes me bashkëlojtarë të shkëlqyer,” tha ai.

Futbollisti shqiptar theksoi se donte të merrte vetë vendimin për të ndaluar dhe e konsideron momentin e duhur për t’u tërhequr. “Do të jem 34 vjeç në fund të marsit dhe çfarë mund të jetë më mirë se të tërhiqem në këtë moshë, numrin që kam mbajtur në fanellë që nga ekipi i të rinjve,” u shpreh Xhaka.

Përveç karrierës në nivel klubesh, Xhaka ka dhënë kontributin e tij edhe me kombëtaren shqiptare, ku numëron 30 ndeshje. Ai ka qenë pjesë e një brezi të rëndësishëm të futbollistëve që ndihmuan Shqipërinë të forcojë pozitat e saj në arenën ndërkombëtare.

Vendimi i tij për të lënë futbollin aktiv ka prekur tifozët e Basel, të cilët e kanë vlerësuar gjithmonë për përkushtimin dhe lidershipin e tij në fushë. Klubi zviceran ka publikuar një mesazh falënderimi për Xhakën, duke e cilësuar si një nga figurat më të rëndësishme të historisë së tij të fundit.

Pas tërheqjes nga futbolli, mbetet për t’u parë nëse Xhaka do të vijojë një karrierë të re brenda sportit, qoftë si trajner apo në ndonjë rol tjetër në futboll. Për momentin, ai largohet nga fusha me një trashëgimi të fortë dhe me respektin e tifozëve dhe bashkëlojtarëve.

Ndaj Postimin: