Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur dyshime mbi rolin e zv/kryeministres Belinda Balluku në zhvillimet e fundit politike, duke deklaruar se ajo është “zhdukur nga radarët” pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha tha se Balluku ka qenë në qendër të një skeme përgjuese, duke përmendur edhe emrin e Oltion Bistrit, ish-drejtorit të sistemit TIMS.
“A e patë këto ditë Lubi Ballukun? Iku nga radarët. E dini pse? Sepse Bistri kishte vendosur në sistemin e regjistrimit armiqtë e Belindës. Absolutisht po! Dhe midis tyre ishin Erjoni dhe Jolka,” u shpreh Berisha, duke lënë të kuptohet se të dhënat e TIMS-it janë përdorur për qëllime politike.
Sipas tij, Balluku nuk ka vepruar e vetme, por në koordinim të plotë me Kryeministrin Edi Rama. Berisha akuzoi Ramën se ka përdorur mekanizmat shtetërorë për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të mbrojtur interesat e tij dhe të njerëzve pranë tij.
Lideri i opozitës vuri në dyshim burimin e informacioneve për lëvizjet e Erion Veliajt, duke pohuar se të dhënat janë marrë përmes përgjimeve të realizuara nga Bistri. Ai shtoi se paratë e sekuestruara gjatë hetimeve – konkretisht prerjet 500-euroshe – janë një praktikë tipike e trafikantëve, duke e lidhur kështu çështjen me aktivitetet kriminale.
“Këto Edi Rama nuk i ka për gjë. Fajin e kanë ata që tolerojnë këta gjykatës dhe prokurorë. Vetëm një padrino mund ta mbajë një fjalë si ai sot,” vijoi Berisha, duke lënë të kuptohet se kryeministri është arkitekti i të gjithë skemës.
Një nga akuzat më të forta të Berishës ishte se qeveria ka kompletuar një dosje të plotë kundër Veliajt për të mbrojtur njerëzit më të fuqishëm të pushtetit. Sipas tij, arrestimi i kryebashkiakut është bërë për të shpëtuar Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit.
Ai përmendi edhe një emër tjetër, Nesti Angonin, duke e akuzuar se ka siguruar informacionet e TIMS-it në mënyrë të paligjshme. “Nga i gjeti Nesti të dhënat për udhëtimet? Ato i gjeti vetëm Bistri, duke përgjuar telefonatat,” tha ai, duke nënvizuar se këto të dhëna janë përdorur për goditje politike.
Në përfundim, Berisha theksoi se opozita nuk ka asnjë lidhje me arrestimin e Veliajt dhe se kjo lëvizje është një përpjekje e Edi Ramës për të ruajtur pushtetin e tij. Ai la të kuptohet se zhvillimet e ardhshme mund të nxjerrin në pah skandale të tjera të qeverisë.