Bushka për hetimin nga SPAK: Nuk kam penguar askënd të thotë të vërtetën

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, ka reaguar në lidhje me vendosjen e saj nën hetim nga SPAK, duke sqaruar pozicionin e saj në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Ajo pranoi se ka pasur kontakte me Ina Goxhajn, duke e cilësuar atë si kushërirën e saj dhe një person me të cilin kishte punuar më parë. “E kam takuar si një familjare dhe e kam këshilluar të thotë të vërtetën. Nuk e kam penguar të shprehet apo të fshehë ndonjë fakt. Përkundrazi, i kam sqaruar të drejtat e saj si juriste,” u shpreh Bushka.

Ajo theksoi se është e para e interesuar që e vërteta të dalë në dritë dhe se nuk ka ushtruar asnjë lloj presioni mbi Goxhajn. Sipas saj, gjithçka është keqinterpretuar, përfshirë edhe bisedat private mes tyre.

Bushka pranoi se e kishte kritikuar Goxhajn për mosndryshimin e adresës së një organizate që ajo drejtonte, çështje që sipas saj ishte e pazgjidhur prej vitit 2017, pavarësisht kërkesave të përsëritura për përditësim.

Sa i përket pretendimeve për presion ndaj Goxhajt në prokurori, Bushka tha se nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur aty dhe nuk mund të shpjegojë arsyet e deklaratave të saj. “Nuk e di çfarë trysnie ka ndjerë kushërira ime apo pse ka paraqitur bisedat tona me një kontekst tjetër,” shtoi ajo.

Pavarësisht zhvillimeve, deputetja theksoi se nuk është thirrur për të dhënë shpjegime në lidhje me çështjen. “Kjo është e vërteta ime dhe qëndroj e hapur për çdo sqarim të mëtejshëm,” përfundoi Bushka.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033