Një 85-vjeçare në Vlorë është shpëtuar pas një ndërhyrjeje të shpejtë nga shërbimi zjarrfikës, pasi kishte mbetur e bllokuar brenda banesës së saj në pamundësi për të lëvizur.
Sipas të dhënave paraprake, e moshuara kishte rrëshqitur dhe ishte rrëzuar brenda apartamentit, duke qëndruar e shtrirë në dysheme për një kohë të konsiderueshme. Ajo kishte kërkuar ndihmë, por për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të ngrihej dhe as të hapte derën e jashtme të banesës.
Pas njoftimit për situatën, punonjësit e Shërbimit Zjarrfikës mbërritën menjëherë në vendngjarje. Duke qenë se dera e apartamentit ishte e blinduar dhe nuk mund të hapej nga brenda, efektivët u detyruan të organizojnë ndërhyrjen nga tarraca e pallatit. Me pajisje të posaçme, ata zbritën drejt ballkonit të apartamentit dhe arritën të futeshin në brendësi të banesës.
Pas hyrjes në apartament, zjarrfikësit i dhanë ndihmën e parë 85-vjeçares dhe u kujdesën për stabilizimin e saj deri në mbërritjen e ekipit mjekësor. Më pas, ajo u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për trajtim të specializuar.
Falë reagimit në kohë të shërbimeve të emergjencës, e moshuara ka arritur të shpëtojë dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.