Një situatë alarmante ka përfshirë Njësinë Administrative Cakran në Bashkinë Fier, ku rreth 80 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur nga prurjet e ujit, duke shkaktuar dëme të mëdha në të mbjella. Kryeplaku i fshatit Selishtë, Ferrik Myftaraj, ka pohuar se uji ka arritur një nivel të rrezikshëm dhe mund të dalë nga shtrati, duke kërcënuar bllokimin e autostradës Levan-Tepelenë.
Muftaraj ka theksuar se kjo është një situatë që nuk është parë prej 7 vitesh në këtë zonë dhe ka paralajmëruar se bllokimi i autostradës do të paralizonte lëvizjen e automjeteve, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për transportin dhe lidhjet me pjesën tjetër të vendit.
“Që në vitin 2016, lumi doli nga shtrati dhe mbushi autostradën me ujë. Tani, për shkak të rritjes së nivelit të ujit, rrezikohet që ai të dalë sërish në rrugë dhe të bllokojë Levan-Tepelenën. Mbi 80 hektarë tokë janë nën ujë, të mbjella të gjitha dhe të shkatërruara. Po ashtu, rrezikohet shkatërrimi i kanaleve kulluese”, tha Muftaraj.
Përveç dëmeve në bujqësi, situata ka përfshirë gjithashtu përmbytjen e rreth 27 banesave në zonën e Ferrasit. Për shkak të rrezikut për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e banorëve të prekur.
Autoritetet po punojnë për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës emergjente për qytetarët, ndërsa monitorimi i vijueshëm i situatës do të përcaktojë masat që do të merren për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes.