Tetë shtetas shqiptarë, ish-luftëtarë të organizatës së shpallur terroriste ISIS, ndodhen aktualisht në burgjet e Sirisë. Lajmi është konfirmuar nga Marc Ghorayeb, konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Liban, në një intervistë televizive.
Sipas tij, dy shtetas të tjerë shqiptarë kanë ndërruar jetë gjatë kohës që mbaheshin në burgun Shaddadi.
Burime nga inteligjenca shqiptare kanë bërë të ditur se janë identifikuar edhe dy shqiptarë të tjerë që ndodhen ende në Siri dhe nuk janë kapur nga autoritetet kurde. Ata rezultojnë të jenë nga Shkodra dhe janë larguar në vitin 2013 për t’iu bashkuar ish-Shtetit Islamik.
Ekzistenca e tyre u zbulua pas një telefonate të kryer gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2023, kur ata kontaktuan një kandidat për kryetar bashkie duke shprehur dëshirën për t’u rikthyer në Shqipëri. Kandidati u ka sqaruar se rikthimi do të shoqërohej me përballje me drejtësinë, në bazë të ligjit shqiptar që ndëshkon pjesëmarrjen në konflikte të armatosura jashtë vendit.
Pas kësaj bisede, autoritetet shqiptare nisën verifikimet dhe hapën dosje hetimore për dy shtetasit, duke identifikuar edhe personat që i ndihmuan të kalonin ilegalisht nga Turqia në Siri.
Sipas të dhënave, rreth 150 shtetas shqiptarë, burra, gra dhe fëmijë, iu bashkuan ISIS-it gjatë viteve të konfliktit. Shumica e burrave kanë mbetur të vrarë gjatë luftimeve, ndërsa disa fëmijë janë riatdhesuar në Shqipëri.
Konsulli Ghorayeb theksoi gjithashtu se, për arsye sigurie, tetë shqiptarët që ndodhen aktualisht në burgun Shaddadi pritet të transferohen në Irak nga qeveria e re siriane.