78-vjeçari Jashar Çela, zëri që buron nga shpirti i këngës së zonës !

78-vjeçari Jashar Çela nga fshati Samaticë, Njësia Administrative Dimal, mbetet një nga zërat më përfaqësues të këngës popullore të zonës.

Në një intervistë ekskluzive për TV Apollon, ai rrëfen se kënga ka qenë pjesë e pandarë e jetës së tij që në moshën 12-vjeçare. Që nga ajo kohë e deri më sot, muzika popullore ka qenë pasioni dhe forca e tij shpirtërore.

I certifikuar dhe i vlerësuar në shumë skena, si para viteve ’90 ashtu edhe pas tyre, Jashar Çela ka qenë pjesë e aktiviteteve të shumta artistike, veçanërisht me grupin “Jehona e Dimalit”, duke përçuar me krenari tabanin popullor të zonës. I veshur me kostumin tradicional, ai sjell në skenë autenticitetin dhe trashëgiminë kulturore të fshatit të tij.

Edhe sot, në moshën 78-vjeçare, zëri i tij kumbon i fortë dhe i ngrohtë, duke dalë nga shpirti i këngës. Gjatë intervistës, ai interpretoi live një pjesë nga repertori i tij, duke kënduar me emocion këngën kushtuar fshatit të tij, për të cilin shprehet me krenari: “Samaticë, ne jemi krenarë”.

Një histori jete e lidhur ngushtë me këngën, që vazhdon të frymëzojë brezat dhe të mbajë gjallë traditën popullore të zonës së Dimalit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033