Në një ceremoni të zhvilluar në Kombinat, 75 familje morën çelësat e apartamenteve të reja, ndërsa Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ishin të pranishëm për të përshëndetur këtë moment të rëndësishëm.
Ky projekt është pjesë e një nisme të gjerë për përmirësimin e kushteve të jetesës për ata që kanë më shumë nevojë, duke ofruar mundësi për familjet me të ardhura të ulëta.
Ministri Gonxhja theksoi se ky është një hap i madh për ata që po përballen me vështirësi ekonomike dhe që nuk mund të përballojnë shpenzimet për blerjen e një banese. Ai nënvizoi se në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, janë duke hartuar paketa të reja për të mbështetur familjet, përfshirë kredi me interesa të ulëta dhe mundësi të tjera për të përmirësuar kushtet e jetesës.
“Prej vetëm një muaji, kemi financuar një paketë me interesat më të ulëta për 1200 kuota kredie, të cilat janë destinuar për familjet dhe të rinjtë që janë në nevojë. Kemi pasur mbi 3 mijë aplikime, dhe këtë vit do të adresojmë edhe një pjesë të dytë të nevojave,” deklaroi ministri Gonxhja. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes për familjet, sidomos për ato që kanë të ardhura të ulëta dhe për kategoritë e veçanta si gratë kryefamiljare dhe të divorcuarat.
Një nga objektivat kryesore të këtij projekti është ofrimi i banesave sociale, të cilat do të shiten me çmim të ulët dhe mundësi pagese me këste. Ministri Gonxhja njoftoi se në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, janë siguruar truall për ndërtimin e këtyre banesave dhe qëllimi është që ato t’i shiten familjeve në nevojë me kushte të favorshme financiare.
Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e projektit të bonusit të qirasë, i cili është një mbështetje për ata që janë prekur nga pasojat e tërmetit të vitit 2019. Ministri njoftoi se shumë prej familjeve që përfitojnë nga ky bonus do të ndalojnë së marrë qiranë, pasi do të kalojnë në banesat e reja, duke përfituar nga mundësitë e reja të ofruara.
Përveç ndihmës direkte për strehimin, Gonxhja foli edhe për një paketë të re që do të lancohen gjatë këtij viti, e cila do të lidhë familjen, fëmijët dhe të punësuarit me mundësitë për strehim. Ai nënvizoi se ky program synon që të ofrojë mbështetje për lindjet dhe të krijojë stimuj për rritjen e numrit të fëmijëve, duke propozuar një zbritje të menjëhershme të çmimit të kontraktuar për çdo fëmijë që lind.
Ministri Gonxhja theksoi se ky është vetëm fillimi i një serie iniciativash që do të vazhdojnë për të përmirësuar kushte të jetesës dhe do të ndihmojnë në krijimin e mundësive për ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje, duke siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.