7 marsi, Dita e Mësuesit: Një nderim për përkushtimin dhe historinë e arsimit shqiptar

7 Marsi, Dita e Mësuesit, është një moment për të nderuar përkushtimin dhe rëndësinë e mësuesve në Shqipëri.

Kjo ditë festohet çdo vit në shkolla, duke u kthyer në një simbol të vlerësimit të punës dhe dedikimit të atyre që edukojnë brezat e ardhshëm.

Kjo ditë ka një domethënie të thellë historike, pasi ajo lidh me hapjen e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë në vitin 1887. Ishte një periudhë e vështirë për shqiptarët, kur ata mësonin gjuhën shqipe fshehurazi, nën sundimin osman, dhe mundësia për të mësuar në gjuhën amtare ishte e kufizuar. Mësonjëtorja e Korçës, e drejtuar nga figura të shquara të Rilindjes, si Pandeli Sotiri dhe Petro Nini Luarasi, ishte një hap i madh drejt arsimit dhe kulturës kombëtare.

Festa e 7 Marsit ka marrë më shumë përmasa dhe rëndësi gjatë periudhës komuniste. Ishte dita më e shënuar për mësuesit, kur nxënësit zgjedhnin përfaqësuesit më të mirë për të vizituar shtëpitë e mësuesve, duke i nderuar ata me dhurata simbolike si lule apo libra. Edhe pse tradita ka ndryshuar, kjo ditë vazhdon të jetë një mundësi për të organizuar aktivitete, koncerte dhe aktivitete që kremtojnë mësuesit dhe përkushtimin e tyre.

Në vitin 1885, Naim Frashëri dhe Sami Frashëri, së bashku me disa shqiptarë të tjerë të rëndësishëm, arritën të siguronin lejen për hapjen e një shkolle shqipe në Korçë. Kjo shkollë u financua pjesërisht nga mërgata shqiptare e Rumanisë, dhe drejtor i saj u emërua Pandeli Sotiri. Pas hapjes, shkolla u bë një qendër e rëndësishme për edukimin në gjuhën shqipe, përkundër kundërshtimeve të autoriteteve osmane.

Mësonjëtorja e Korçës, e hapur më 7 mars 1887, ka një histori të ngjeshur, pasi u mbyll dhe u hap disa herë gjatë periudhës së sundimit osman. Ajo qëndroi aktive për më shumë se dy dekada, dhe pas hapjes së shkollës për djem, në vitin 1891 u hap edhe Mësonjëtorja e vajzave, e drejtuar nga Gjerasim dhe Sevasti Qiriazi. Ky ishte një hap i rëndësishëm për avancimin e arsimit dhe emancipimin e gruas në Shqipëri.

Mësuesit e kohës, si Sotiri, Luarasi dhe Qiriazi, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për arsimin dhe zhvillimin e teksteve shkollore të para. Ata përballuan kushte të vështira dhe periudha të pasigurta, por përkushtimi i tyre nuk u ndal. Ata krijuan mundësi për një arsim të një niveli të lartë, dhe shumë nga nxënësit e tyre do të bëheshin pasues të ideve të Rilindjes dhe luftëtarë për liri e pavarësi.

Në vitet e komunizmit, kjo ditë e shënuar mori një status të veçantë, kur mësuesit shpërbleheshin për meritat e tyre me dekorata si “Mësues i Merituar” dhe “Mësues i Popullit”. Kjo traditë e nderimit të mësuesve u mbajt deri në fund të regjimit dhe vazhdoi në formën e aktiviteteve festive që mbahen sot në shkolla dhe universitete.

Dita e Mësuesit, 7 Marsi, është një mundësi për të kujtuar historinë dhe rëndësinë e mësuesve të parë, që e çuan mësimin shqip përpara, dhe për të nderuar ata që vazhdojnë të kontribuojnë në arsimimin dhe formimin e breznive të reja.

Ndaj Postimin: