5 Nëntori është një datë e rëndësishme për komunitetin rom në mbarë botën. Kjo ditë u shpall nga UNESCO në vitin 2015 si Dita Botërore e Gjuhës Rome, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit rom, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e diversitetit gjuhësor si një pasuri e shoqërive moderne.
Në këtë kuadër, TV Apollon zhvilloi një bisedë telefonike me Ferit Milanj, Drejtori Ekzekutiv i Unionit per Zhvillimin dhe Integrimin e Minoritetit Rom ne Shqiperi “Amaro-Drom”i cili e cilësoi këtë ditë si një moment domethënës për përpjekjet drejt ruajtjes së gjuhës së nënës dhe vetëdijes kulturore të komunitetit rom në Shqipëri dhe më gjerë.
Gjuha rome, e cila përbëhet nga rreth 33.000 fjalë dhe 17 dialekte të ndryshme, mbetet një thesar i gjallë i trashëgimisë shpirtërore të këtij komuniteti. Edhe pse me dallime dialektore, folësit e saj kuptohen mes tyre, çka e bën të mundur standardizimin dhe zhvillimin e saj më tej.
Në nivel ndërkombëtar, 16 shtete të Këshillit të Evropës e njohin gjuhën rome si gjuhë të pakicës, ndërsa përpjekjet për promovimin dhe kodifikimin e saj kanë marrë hov pas simpoziumit të mbajtur në Zagreb në vitin 2009, ku u kërkua njohja zyrtare e kësaj dite në të gjitha vendet ku jetojnë romët.
Përmes kësaj dite, synohet jo vetëm mbrojtja e një gjuhe me histori të gjatë, por edhe forcimi i rolit të komunitetit rom në jetën shoqërore, kulturore dhe arsimore të vendeve ku jetojnë.
Mesazhi është i qartë: çdo gjuhë ka vlerë dhe çdo kulturë meriton të ruhet.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


