Një 45-vjeçar është arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, pasi tentoi të largohej nga territori i Shqipërisë, ndonëse ishte nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas të dhënave, i arrestuari është shtetasi N.H., banues në fshatin Cukalat të Dimalit. Ai ishte i vendosur në arrest shtëpiak me vendim gjykate për veprat penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”.
Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë konstatuar 45-vjeçarin në tentativë për t’u larguar nga vendi, në kundërshtim të plotë me masën e sigurisë që ishte në fuqi ndaj tij. Pas ndalimit, janë kryer veprimet e nevojshme procedurale.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme ligjore.