Ish-zv/kryetarja Adela Hysenaj dhe drejtues të tjerë të Bashkisë Fier vijojnë të jenë nën masa sigurie pas hetimeve për shpërdorim detyre dhe keqpërdorim të fondeve publike në vlerë 400 milionë lekë.
Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka bërë ndryshime në masat e sigurisë për katër prej të hetuarve në kuadër të operacionit të njohur si “Parking”. Ky operacion u zhvillua për të hetuar shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm nga zyrtarë të Bashkisë Fier dhe administratës tatimore.
Seanca gjyqësore u mbajt me dyer të mbyllura dhe u drejtua nga gjyqtarja Aurora Tusha. Në këtë proces, Prokuroria e Fierit kërkoi marrjen në pyetje të katër personave, përfshirë ish-zyrtarë të lartë të Bashkisë Fier dhe drejtorë në administratën tatimore.
Sipas vendimit të gjykatës, Adela Hysenaj, ish-zv/kryetare e Bashkisë dhe ish-drejtoreshë e Taksave dhe Urbanistikës, së bashku me Vasil Cekun, drejtor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, do të qëndrojnë nën arrest shtëpie. Ndërsa Anisa Cjapi, drejtoreshë aktuale e Taksave dhe Tarifave Vendore, dhe Martin Dodin, sekretar i përgjithshëm i Bashkisë Fier, mbajnë masën e pezullimit nga detyra.
Gjykata ka hequr ndalimin për Dodin që të lëvizë jashtë vendit, ndërkohë që për Cekun është hequr pezullimi nga detyra, por ai vazhdon të mbahet nën arrest shtëpie. Këto vendime shënojnë një etapë të rëndësishme në hetimet për shpërdorim të fondeve publike në Fier.
Operacioni “Parking” u realizua pas disa muajsh hetim nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë Fier. Hetimi ka nxjerrë në dritë një dëm prej rreth 40 milionë lekësh për buxhetin lokal për shkak të mospërdorimit të kasave fiskale në parkimin nëntokësor dhe favorizimit të subjekteve private përmes uljeve të padrejta të taksave.


