Rreth 350 pasagjerë, të nisur nga Bergamo dhe Bologna me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Brindisit, pasi fluturimet e tyre janë kthyer për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.
Pasagjerët, të cilët kishin si destinacion përfundimtar Shqipërinë, ndodhen ende në ambientet e aeroportit të Brindisit. Sipas tyre, mungesa e informacionit dhe e zgjidhjeve alternative nga kompania ajrore ka shkaktuar reagime dhe protesta, të cilat kanë ndikuar edhe në funksionimin normal të shërbimeve aeroportuale.
Udhëtarët shprehen se kompania ajrore Wizz Air nuk u ka ofruar shpjegime të qarta lidhur me situatën, si dhe nuk ka siguruar akomodim, transport alternativ apo informacion mbi vazhdimin e udhëtimit drejt Shqipërisë.
Deri në këto momente, pasagjerët vijojnë të presin një zgjidhje nga kompania ajrore, ndërsa situata në aeroportin e Brindisit mbetet e tensionuar. Autoritetet përkatëse po monitorojnë zhvillimet, ndërsa pritet një reagim zyrtar lidhur me trajtimin e pasagjerëve dhe rifillimin e fluturimeve.