345 milionë lekë dëmshpërblim për zjarret e verës, ja si ndahet fondi për 15 bashki

Qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 345 milionë lekësh për dëmshpërblimin e 15 bashkive që u përballën me zjarret masive gjatë verës së vitit 2025. Shpërndarja e fondeve është bërë në bazë të bilanceve të dëmeve të raportuara nga bashkitë përkatëse.

Bashkia që përfiton shumën më të lartë është Kruja, me 146 milionë lekë. Sipas sqarimeve zyrtare, ky fond përfshin edhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të lidhura me dëme nga fatkeqësi të mëparshme. Pas Krujës renditet Gramshi, i cili do të përfitojë 86.6 milionë lekë.

Ndër bashkitë më të prekura nga zjarret kanë qenë Delvina dhe Finiqi, të cilat do të marrin përkatësisht 36 milionë dhe 40 milionë lekë. Edhe pse këto zona u përballën me dëme të konsiderueshme, fondet e akorduara do të përdoren kryesisht për dëmshpërblimin e banesave dhe objekteve ndihmëse bujqësore.

Në rastin e Bashkisë Maliq, fondi i akorduar është 1.2 milionë lekë, i parashikuar për dy banesa të djegura. Dëmshpërblimi për këto banesa ishte kryer më herët nga vetë bashkia, në dhjetor 2025, me fondet e saj. Ndërkohë, kërkesa totale e Maliqit për përballimin e dëmeve kishte qenë rreth 70 milionë lekë të vjetra, por nga qeveria qendrore janë transferuar vetëm 12 milionë lekë, duke mbuluar një pjesë minimale të nevojave, ndërsa autoritetet vendore mbeten në pritje të fazës së dytë të kompensimit.

Bashkitë me përfitimet më të ulëta nga ky fond janë Librazhdi me 0.2 milionë lekë, Tepelena me 0.3 milionë lekë, Kukësi me 0.6 milionë lekë dhe Hasi me 0.7 milionë lekë.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 në Shqipëri u dogjën mbi 59 mijë hektarë pyje, kryesisht në jug të vendit, ku u prekën rëndë bashkitë e Delvinës dhe Finiqit, si edhe zona e Gramshit në Shqipërinë e Mesme.

Shpërndarja e fondeve për bashkitë:

  • Delvinë – 36 mln lekë
  • Dibër – 10,5 mln lekë
  • Gramsh – 86,6 mln lekë
  • Has – 0,7 mln lekë
  • Rrogozhinë – 1,8 mln lekë
  • Krujë – 146 mln lekë
  • Kukës – 0,6 mln lekë
  • Librazhd – 0,2 mln lekë
  • Peqin – 4 mln lekë
  • Tepelenë – 0,3 mln lekë
  • Kamëz – 2 mln lekë
  • Maliq – 1,2 mln lekë
  • Finiq – 40 mln lekë
  • Dropull – 7,7 mln lekë
  • Malësi e Madhe – 6,6 mln lekë

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033