33 milionë lekë dëm nga tenderët, SPAK merr të pandehur ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, në lidhje me një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh nga procedurat e tenderimit.

Elvis Roshi u paraqit në ambientet e SPAK, i shoqëruar nga avokati mbrojtës, ku iu komunikua zyrtarisht mbyllja e hetimeve. Dosja pritet të kalojë për shqyrtim gjyqësor në vijim.

Hetimi lidhet me një kallëzim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në shtator të vitit 2015, ku Roshi dhe dhjetë zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar dëm ekonomik gjatë zhvillimit të tenderëve për rikonstruksionin e qendrës së qytetit të Kavajës, ndërtimin e disa rrugëve dhe mbjelljen e pemëve dekorative.

Shkeljet u konstatuan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013–dhjetor 2014. Sipas gjetjeve, bëhet fjalë për 12 procedura tenderimi, ku në disa raste është ndjekur standard i dyfishtë në vlerësimin e operatorëve ekonomikë, duke skualifikuar ofertuesit me çmimin më të ulët.

Në tre tenderë të tjerë, ofertuesit me çmimin më të favorshëm janë skualifikuar padrejtësisht për shkak të llogaritjes së gabuar të ofertave. Çështja ishte mbyllur më herët nga Prokuroria e Durrësit, por një vendim i Gjykatës së Posaçme vitin e kaluar urdhëroi rifillimin e hetimeve nga SPAK, duke çuar në marrjen e ish-kryebashkiakut si të pandehur.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033