30 milionë euro buxhet, qytetarët jashtë loje: Fierit i jepen vetëm 4 milionë për projekte

Buxheti që Bashkia Fier pritet të miratojë për vitin 2026 ka shkaktuar reagime të forta, pasi sipas vlerësimeve paraprake përfshin rreth tridhjetë milionë euro shpenzime, nga të cilat vetëm katër milionë janë parashikuar për investime, ndërsa pjesa tjetër prej njëzet e gjashtë milionësh i dedikohet funksionimit të administratës.

Kritikët thonë se propozimi buxhetor nuk reflekton nevojat reale të qytetit dhe se peshon rëndë mbi taksapaguesit, ndërsa shërbimet dhe investimet e dukshme për komunitetin mbeten minimale. Po ashtu, thuhet se këshilltarët nuk kanë marrë as kopje të dokumentit që pritet të votojnë, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për transparencën dhe seriozitetin e procesit.

Sipas tyre, buxheti i vitit të ardhshëm nuk sjell zgjidhje për problematikat e qytetarëve, nuk adreson çështjet infrastrukturore dhe nuk ofron projekte që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës. Përkundrazi, shihet si një plan financiar që favorizon aparatin administrativ dhe le pak hapësirë për zhvillime reale.

Buxheti pritet të kalojë në votim në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, mes kritikash se procesi mund të miratohet pa debat dhe pa një shqyrtim të thelluar.

Ndaj Postimin: