3.8 miliardë euro për rrugët, por asfalti dëmtohet brenda vitit – ku shkuan investimet rekord?

Shqipëria ka investuar 370 miliardë lekë, ose rreth 3.8 miliardë euro, në infrastrukturën e transportit rrugor gjatë periudhës 2014–2025, përfshirë edhe fondin e parashikuar për vitin 2026. Të dhënat zyrtare tregojnë një rritje të ndjeshme të buxheteve përgjatë viteve, me një përshpejtim të theksuar pas vitit 2022.

Sipas shifrave, financimi për rrugët ka kaluar nga 24.4 miliardë lekë në vitin 2014 në 44.5 miliardë lekë në vitin 2025, duke shënuar kulmin historik me 44.3 miliardë lekë. Vetëm gjatë vitit 2024, investimet arritën në 405 milionë euro.

Me një shumë të tillë, sipas referencave të kostove të Bashkimit Evropian për vende si Shqipëria, do të mund të ndërtoheshin rreth 350 kilometra autostradë e re e tipit A, duke përshkuar vendin nga Vermoshi në Konispol.

Megjithatë, pavarësisht buxheteve rekord, një pjesë e akseve të reja kanë shfaqur dëmtime strukturore brenda vitit të parë të përdorimit. Asfalti i vendosur me kosto miliona eurosh ka pësuar çarje dhe degradim të parakohshëm, duke ngritur dyshime mbi cilësinë e punimeve, standardet e materialeve dhe mbikëqyrjen teknike.

Për vitin 2026 parashikohet një ulje e lehtë e fondeve në 35.4 miliardë lekë. Megjithatë, sipas ekspertëve, problemi nuk lidhet me mungesën e financimit, por me mënyrën e zbatimit dhe kontrollit teknik të projekteve. Miliardat e investuara rrezikojnë të shndërrohen në kosto shtesë për taksapaguesit, nëse fondet do të duhet të ridestinohen për riparimin e veprave të sapo-përfunduara.

Analiza e shpërndarjes së investimeve tregon gjithashtu se qendra e vendit ka mbetur me mangësi infrastrukturore. Rajoni Fushë-Krujë–Tiranë–Durrës–Rinas ka patur mungesa të konsiderueshme, ndërsa fondet janë orientuar drejt projekteve si Rruga e Arbrit, Tuneli i Llogorasë, segmenti Qukës–Qafë Thanë dhe aksi Korçë–Ersekë.

Mungesa e investimeve për dy dekada në Korridorin 8 dhe Korridorin 10 ka reduktuar përfitimet ekonomike dhe ka rritur kostot për popullsinë e qendrës dhe veriut, duke thelluar debatin mbi prioritetet strategjike në transportin rrugor.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033