256 kilometra pa asnjë kthesë, rruga që konsiderohet më e mërzitshmja në botë

Nga njëra anë, pamje e pafundme e rërës dhe horizonti i hapur i një prej shkretëtirave më të mëdha në botë; nga ana tjetër, një monotoni që e vë në provë durimin e çdo shoferi. Një segment rrugor në Arabinë Saudite konsiderohet gjerësisht si rruga më e mërzitshme në botë.

Bëhet fjalë për një pjesë prej 256 kilometrash plotësisht të drejtë, pa kthesa, pa ngjitje apo zbritje, që përshkon shkretëtirën Rub el Kali. Ky segment është pjesë e autostradës saudite numër 10, e cila lidh Al Darbin në jugperëndim të vendit me Al Batën në lindje dhe ka një gjatësi totale prej 1 474 kilometrash.

Autostrada kalon pranë kufirit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe fillimisht u ndërtua si një rrugë private për Mbretin Fahd, i cili sundoi Arabinë Saudite nga viti 1982 deri në vitin 2005. Më pas, me hapjen e saj për publikun, ky segment hyri në Librin e Rekordeve Guinness si pjesa më e gjatë e drejtë e një rruge në botë.

Për ta përshkuar këtë segment pa kthesa duhen rreth dy orë udhëtim. Për shumë drejtues mjetesh, koha kalon ngadalë, me ndjesinë sikur peizazhi nuk ndryshon kurrë. Vetëm pas rreth 240 kilometrash shfaqet tabela që paralajmëron një kthesë, moment që për shumë shoferë përjetohet si një çlirim pas një rruge monotone.

Megjithëse mund të duket ideale për shpejtësi të lartë, kjo rrugë ka një histori aksidentesh të shpeshta. Një nga shkaqet kryesore mbetet ulja e vëmendjes së shoferëve, e shkaktuar nga monotonia e tejzgjatur.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033