“250 mijë euro për dy vrasje”, Hoxhaj zbërthen porositë e Dumanit në GJKKO

Dëshmia e Henrik Hoxhajt në Gjykatën e Posaçme ka hedhur dritë mbi porosi vrasjesh, atentate të dështuara dhe marrëveshje kriminale të rrjetit të Nuredin Dumanit.

Hoxhaj deklaroi se Dumani i kishte ofruar gjithsej 250 mijë euro për të vrarë Lulzim Mashën dhe djalin e tij: 100 mijë euro për të atin dhe 150 mijë euro për të birin. Sipas tij, objektivi fillestar ishte djali, por pasi nuk u gjet, vendosën të godisnin Mashën për ta detyruar djalin të kthehej nga jashtë.

Në sallën e gjyqit, Hoxhaj përshkroi me detaje atentatin e 18 janarit 2022, duke thënë se arma iu dha nga “Sakati”, por në momentin e qëllimit arma i ngeci Skerdi Tases. Ai tha se dëgjonte përshkrimet e policisë në radio menjëherë pas ngjarjes.

Hoxhaj tregoi gjithashtu se Dumani i kishte kërkuar të ekzekutonte edhe Elton Kilën, të njohur si “Oti”, me pretendimin se strehonte Talo Çelën. Plani u anulua pasi Kila u arrestua.

Në një pjesë tjetër të dëshmisë, Hoxhaj rrëfeu se Dumani u plagos gjatë një atentati të dështuar dhe se ai e transportoi për ndihmë mjekësore, duke marrë dy mjekë për ta operuar në mënyrë të fshehtë. Ai tha se nuk e kuptoi se si policia arriti ta lokalizonte dhe ta arrestonte më pas.

Sipas Hoxhajt, Dumani u arrestua në Peqin, ndërsa ai vetë ndodhej në Elbasan në momentin e ndërhyrjes së policisë. Dëshmia e tij është pjesë e procesit gjyqësor në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, një nga hetimet më të rënda për krimin e organizuar në vend.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033