Një grup prej 25 të rinjsh nga vende të ndryshme të botës kanë zgjedhur Shqipërinë për të kontribuar në mbrojtjen e ekosistemit të lumit Vjosa, i cilësuar si lumi i fundit i egër në Europë.
Të bashkuar në një iniciativë mjedisore, ata kanë mbjellë mbi 3000 fidanë në zonat më të rrezikuara nga erozioni, me synimin për të forcuar mbrojtjen natyrore të brigjeve të lumit dhe për të ruajtur biodiversitetin.
Sipas organizatorëve, aktiviteti është zhvilluar me pjesëmarrjen e më shumë se 20 vullnetarëve, të cilët kanë punuar në terren për disa ditë radhazi.
“Jemi shumë të lumtur për punën e realizuar. Arritëm të mbjellim mbi 3000 fidanë në zona të përcaktuara si problematike për shkak të erozionit dhe rrezikut për ekosistemin e Vjosës,” u shpreh një prej vullnetarëve.
Organizatorët theksojnë se kanë ndërmarrë edhe fushata informuese për të përfshirë të rinjtë e zonës, por pjesëmarrja e tyre ka qenë e kufizuar.
“Nevojitet më shumë sensibilizim dhe edukim mjedisor, sidomos në shkolla, për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës,” shtuan ata.
Në përfundim të aktivitetit, mesazhi i përbashkët i të rinjve ishte i qartë: “Lumi i lirë.”