Gjykata e Tiranës ka dënuar me 24 vite burg Ilir Beqarajn, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e Gentian Bejtjes. Beqaraj, i njohur edhe me mbiemrat Brahimi ose Mançellari, është shpallur fajtor për rolin e tij si ndihmës në ngjarje.
Prokuroria e akuzoi atë për veprat penale “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas hetimeve, Beqaraj ka ndihmuar katër autorët e dyshuar të vrasjes që të largohen nga vendi i ngjarjes, duke i transportuar drejt fshatit Hasan, ku më pas u dogj automjeti i përdorur në krim.
Nga analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, është provuar se Beqaraj ka lëvizur në disa momente me automjetin e tij në afërsi të banesës së viktimës. Gjithashtu, në automjetin tip “Golf”, i përdorur nga autorët për t’u larguar pasi kishin djegur makinën e krimit, është gjetur profil ADN-je i Beqarajt. Profil gjenetik është konstatuar edhe për Flodian Plakun, i cili ndodhet gjithashtu i arrestuar.
Prokuroria e Tiranës vijon hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Gentian Bejtja u vra më 15 mars 2024, pranë banesës së tij në Larushk, në një kohë kur ishte në kërkim nga policia. Ai u qëllua me breshëri automatike nga katër persona. Sipas Policisë Shkencore, nga katër kallashnikovët e gjetur në automjetin e djegur të autorëve, tre prej tyre ishin përdorur për të qëlluar drejt 43-vjeçarit. Para kësaj ngjarjeje, Bejtja i kishte mbijetuar tre atentateve.