21 të arrestuar pas përplasjes në protestë, mes tyre 4 të mitur; nën hetim edhe pesë zyrtarë të PD

Policia e Tiranës ka arrestuar 21 persona pas përplasjeve të ndodhura gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e së martës në kryeqytet. Sipas autoriteteve, mes të arrestuarve janë edhe 4 të mitur, të moshës 17 vjeç.

Protesta, e organizuar nga Partia Demokratike, degjeneroi në akte dhune, me hedhje molotovësh, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të Policisë dhe godinave të institucioneve publike. Sipas bilancit zyrtar, 16 punonjës policie kanë mbetur të lënduar, dy prej tyre me djegie më të rënda. Të gjithë kanë marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në total janë shoqëruar 30 persona, por 9 prej tyre janë liruar pas verifikimeve. Një 32-vjeçar po hetohet në gjendje të lirë për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.

Ndaj 21 të arrestuarve rëndojnë akuza të tilla si “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Në kuadër të hetimeve, Policia ka vënë në procedim penal edhe pesë zyrtarë të Partisë Demokratike, mes tyre deputetët Flamur Noka, Klevis Balliu, Luan Baçi, Belind Këlliçi dhe sekretarin organizativ Ervin Minarolli. Sipas njoftimit zyrtar, ata dyshohen se kanë udhëhequr protestuesit gjatë përplasjes me efektivët para godinës së Kuvendit.

Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse, të gjetura në afërsi të Kuvendit.

Policia deklaron se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktet e dhunës. Ndërkohë, reagime politike kanë pasuar ngjarjen, me akuza dhe kundërakuza mbi përgjegjësitë për përshkallëzimin e protestës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033