Në shkurt të vitit 2006, Britania e Madhe u trondit nga ajo që u cilësua si grabitja më e madhe e parave në historinë e vendit. Në depon e kompanisë së sigurisë Securitas në Tonbridge, Kent, një grup i organizuar arriti të marrë mbi 53 milionë sterlina cash.
Operacioni u përshkrua më vonë nga gjykata si i “realizuar me disiplinë ushtarake”. Menaxheri i depos u rrëmbye bashkë me familjen e tij, ndërsa grabitësit, të maskuar dhe të armatosur, hynë në ambientet ku ruheshin shuma të mëdha parash që përgatiteshin për t’u shpërndarë në bankomate.
Brenda pak orësh, ata mbushën automjetet me para dhe u larguan. Policia britanike arriti të rikuperojë rreth 21 milionë sterlina, por 32 milionë të tjera nuk janë gjetur as pas dy dekadash.
Hetimet zbuluan përfshirjen e disa personave, mes tyre edhe dy shqiptarë nga Tropoja, Jetmir Bucpapa dhe Ermir Hysenaj. Sipas prokurorisë britanike, Hysenaj, i punësuar në depo, kishte siguruar informacione të brendshme për strukturën, hyrje-daljet dhe sistemet e alarmit. Ai u cilësua si “inside man” gjatë procesit gjyqësor në Old Bailey.
Jetmir Bucpapa u dënua me burgim të përjetshëm dhe vuajti 18 vite në burg, ndërsa Hysenaj mori dënim 20-vjeçar. Pas përfundimit të dënimeve, të dy u dëbuan në Shqipëri.
Në përvjetorin e 20-të të grabitjes, mediat britanike raportuan mbi jetën e re të Bucpapës pas kthimit në Shqipëri. Sipas raportimeve, ai është martuar, ka dy fëmijë dhe më pas është ndarë, ndërsa aktualisht jeton në Tiranë.
Megjithëse përgjegjësit u dënuan, misteri i 32 milionë sterlinave të zhdukura mbetet i pazgjidhur dhe grabitja e Tonbridge vazhdon të konsiderohet një nga kapitujt më të errët të historisë kriminale britanike.