Kanë kaluar dy vite nga zhdukja misterioze e Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari në Sarandë, ndërsa Prokuroria ka vendosur të dërgojë çështjen për gjykim ndaj tre personave të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.
Prokuroria e Sarandës ka marrë zyrtarisht të pandehur shtetasit:
- Albi Mecini, i akuzuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”;
- Sofokli Baxherri, i akuzuar për veprën penale “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”;
- Sebasatjan Lataj, i akuzuar për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari u zhdukën në pranverën e vitit 2023. Sipas dyshimeve hetimore, ata mund të jenë vrarë dhe groposur në tokat pranë fshatit Vrinë. Pavarësisht kalimit të kohës, ende nuk ka asnjë gjurmë konkrete për fatin e dy burrave, duke lënë familjarët në pritje të një përgjigjeje.
Nga hetimet rezulton se Leonard Thodhori kishte pasur konflikte lidhur me një pronë të shitur më herët një personi me precedentë penalë në fushën e narkotikëve. Ai ishte thirrur në Sarandë për të diskutuar mbi këtë marrëveshje, por takimi dyshohet se ka përfunduar në konflikt. Sipas skenarit hetimor, Thodhori dhe miku i tij janë rrëmbyer dhe futur në një automjet.
Dy 46-vjeçarët mendohet se janë dërguar më pas drejt zonës së Vrinës, ku dyshohet se janë ekzekutuar dhe groposur. Autoritetet zhvilluan kërkime intensive për disa muaj, por pa rezultate konkrete, duke i ndërprerë ato pas rreth dy muajsh.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bën me dije se ka përfunduar hetimet për procedimet penale përkatëse dhe ka dërguar çështjen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë. Ndërkohë, hetimet vijojnë për gjetjen e dy personave të zhdukur dhe për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje.